Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas dërgimit në Kushtetuese të 16 ligjeve nga Partia Demokratike e Kosovës.
Shefja e Grupit parlamentar të VV-së Mimoza Kusari Lila në një konferencë për media sot, theksoi se opozita po e përdor Gjykatën Kushtetuese për interesa personale dhe grupore. Ajo tha se “çfarë kanë përvetuar kundërligjshëm në pushtet, duan ta mbrojnë me mekanizma ligjorë.”
“Atë çfarë pamë sot me veprimin e fundit të Partisë Demokratike të Kosovës, pamë se kjo parti dhe ky grup parlamentar janë pozicionuar qartazi kundër qytetarëve të Republikës dhe interesit publik, duke përdorur Gjykatën Kushtetuese për interesat e tyre personale dhe ato grupore. Atë çfarë kane përvetësuar kundërligjshëm kur kanë qenë në pushtet, duan ta mbrojnë me mekanizma ligjorë tash nga opozita. PDK ka vepruar njëjtë, në fakt nuk është ndonjë veprim i ndryshëm prej veprimit të tyre sa kanë qenë në pozita qeveritare. Njëjtë po veprojnë edhe tani sikur dikur tash nga roli i opozitës. Mbrapa çdo ligji të dërguar në Gjykatën Kushtetuese gjatë këtyre katër vjetëve, ruhet një interes i një figure apo grupimi brenda këtij subjekti politik. Dy herë e kanë kontestuar Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për arsye se donin t’i mbronin njerëzit e tyre brenda këtij këshilli”, deklaroi Kusari-Lila.
Shefja e deputetëve të shumicës parlamentare shtoi se opozita po tenton ta shtyjë zbatimin e Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“Tashmë e kontestuan edhe më herët Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, sepse janë të gjithë të vetëdijshëm se kjo pasuri nuk mund të justifikohet mbi të ardhurat e të hyrat e çdo zyrtari publik, për arsye se ato të hyra dhe të ardhura janë publike dhe nuk ka asnjë matematikë që e shpjegon pasurinë e tyre enorme, shumë milionëshe, në raport me të hyrat që i kishin ndër vite. 16 ligje sot që janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese e kanë vetëm një qëllim, mbrojtjen dhe zgjatjen e periudhës kohore nga zbatimi i Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, tha ajo.
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi se të gjithë deputetët të cilët kanë konfirmuar që nuk do të garojnë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, do të jenë pjesëmarrës nëse do të mbahet ndonjë seancë.