Idriz Stublla, qytetar nga Prishtina, thotë se ka pritur përmirësim të situatës socio-ekonomike nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti. Në 100 ditshin e punës së kësaj qeverie, ai shprehet i pakënaqur sa i përket përmbushjes së premtimeve në aspektin social. Por, përkrahë katër qëndrimet e Kurtit, për ecjen përpara në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Pensionet i ka zvogëluar, kurse ka premtuar që do t’i rrisë në 150 euro. Shtesat për fëmijë i ka premtuar, por nuk kanë filluar të zbatohen, as që flitet për këtë çështje. Dallimi nga qeveritë tjera është vetëm në procesin e bisedimeve me Serbinë, që ka vendosur disa kushte. Kjo është shumë e mirë”, tha Stublla për Radion Evropa e Lirë.
Ish-qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, kishte marrë vendim që të rrisë për tre muaj pensionet bazike (janar, shkurt, mars), në vlerë prej 30 eurosh në muaj. Pensionet bazike në Kosovë janë 90 euro në muaj dhe me këtë rritje, përfituesit e pensionit të pleqërisë kanë marrë nga 120 euro në muaj. Në muajin prill të këtij viti, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ka ndërprerë këtë shtesë. Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte thënë në muajin prill, që sipas vendimit të qeverisë së kaluar, “pas muajit mars e tutje, shtesat ishte paraparë të ndalen në tërësi”.
Edhe Besart Asllani, mbi të 30-tat, punëtor në sektorin privat, thotë se pritjet e qytetarëve për përmbushje të premtimeve nga Qeveria Kurti kanë qenë më të mëdha. Problemet e Kosovës janë grumbulluar me vite, thotë ai, dhe sipas tij është e vështirë të gjendet shpejt një zgjidhje, sidomos për papunësinë.
Shkalla e papunësisë, sipas të dhënave zyrtare, arrin në 24.6 për qind ose mbi 120 mijë persona janë të papunë.
“Nuk them se nuk ka bërë asgjë, por pritjet janë shumë të mëdha. Besoj se do ketë edhe rritje të punësimit, përmirësim të situatës ekonomike. Ndoshta terreni është jo i duhur për kryeministrin Kurti. Megjithatë, besoj në punë e tij, besoj se do të ketë përmirësime sepse ende është i panjollosur, dhe nuk kam dëshirë të dështojë sepse pasojat i paguajnë qytetarët”, tha ai.
Durime Bajrami, 22-vjeçare, nga qyteti i Podujevës, thotë se nuk mjaftojnë 100 ditë për të vlerësuar punën e kryeministrit Kurti. Ajo e përmend menaxhimin e mirë të situatës me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi.
“Unë e vlerësoj për mirë. Ndoshta i duhet edhe pak kohë. Por, për fillim është shumë mirë”, tha ajo.
Njëqind ditshi numërohet si periudhë matëse e punës së një qeverie. Qeveria Kurti është formuar më 22 mars, pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 14 shkurt, ku Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar 50.28 ose 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
PDK: Spastrime të bordeve
Subjektet opozitare në Kuvendin e Kosovës po kritikojnë punën e Qeverisë Kurti gjatë kësaj periudhe. Sipas tyre, qeveria e udhëhequr nga Kurti, ka dështuar në qeverisjen e brendshme dhe politikën e jashtme.
Xhavit Haliti, deputet nga partia opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha se gjatë tremujorit të kaluar, ekzekutivi më shumë është marrë me “spastrime” të bordeve në agjenci të pavarura. Kurse, sa i përket gjendjes ekonomike, luftës kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, si premtime kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë fushatës elektorale, sipas tij, nuk vërehet asgjë në praktikë.
“Nuk mund të them se nuk ka lëvizje dhe përpjekje. Por, ajo që është e domosdoshme për Qeverinë e Kosovës, në rrethanat që është Kosova, sepse është në rrethana të veçanta, do duhej të bashkëpunonte me të gjithë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm, për të krijuar politika shtetërore, në interes të shtetit dhe të aleancave strategjike dhe jo politika individuale”, tha Haliti për Radion Evropa e Lirë.
LDK: Dialog jopërmbajtësor
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kritikuar ekzekutivin, për politikën e jashtme, për vaksinimin e qytetarëve kundër sëmundjes COVID-19 dhe për nepotizëm.
Shqipe Mjekiqi, koordinatore e departamentit për politikë e jashtme në LDK, tha se Qeveria e Kosovës gjatë kësaj periudhe i është qasur dialogut me shtetin e Serbisë, pa ndonjë platformë, duke e quajtur këtë proces si dialog jopërmbajtësor.
“Qeveria e Kosovës iu qas dialogut me Serbinë pa një platformë, për vizion, për afate kohore dhe rezultate kryesore që synohen të arrihen në marrëveshjen ndërkombëtare. Dëmtim i kredibilitetit ndërkombëtar. Qeveria e Kosovës bëri përpjekje për t’i ikur obligimeve që burojnë nga Marrëveshja e Uashingtonit, përmes interpretimit të kësaj marrëveshjeje, si juridikisht të pavlefshme. Qeveria e Kosovës duhet të dëshmojë se është duke punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë dhe shumë çështje të tjera”, theksoi Mjekiqi.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, deri në momentin e publikimit të këtij raporti, nuk kanë paraqitur ndonjë qëndrim.
Fol: Qeveria Kurti, e vetmja që nuk e publikoi Planin e Punës
Organizata qeveritare “Fol” bën monitorimin e qeverive në bazë të Planit të tyre të Punës. Erblin Hoxha, koordinator i projekteve në këtë organizatë, tha se Qeveria Kurti, në 100 ditshin e punës së saj, është e vetmja që deri më tani, që nuk ka publikuar Planin e Punës, për tre muaj.
“Edhe pse ata e kanë publikuar planin e qeverisë për katër vjetët e ardhshme, ne e kemi të pamundur të bëjmë një vlerësim të aktiviteteve të cilat ata planifikojnë të investojnë në vitin 2021. Pra, plani i aktiviteteve të qeverisë ende nuk është publikuar. Për ne kjo është shumë shqetësuese sepse i jep mundësi qeverisë të marrë vendime ad-hoc për çështje specifike”, shprehet Hoxha për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, Hoxha thekson se sa i përket politikës së jashtme, me qeverinë e re, procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që po zhvillohet me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ka marrë një qasje të re.
“Deri tash vlerësojmë që politika e jashtme e Kosovës, në raport me dialogun, e ka një dinamikë të re dhe mendojmë se është shumë më pozitive sesa procesi komplet i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ky proces është duke shkuar me dinamikë më të madhe dhe në drejtim më pozitiv sesa ka qenë deri tash”, shtoi ai.
Kurti, qeveria e të cilit u votua nga Kuvendi i ri i Kosovës, ka thënë se dialogu me Serbinë, nuk është pjesë e prioriteteve të tij. Ai madje ka paralajmëruar edhe vendosjen e reciprocitetit ndaj këtij shteti. Por, gjatë këtyre 100 ditëve, dialogu me Serbinë ka qenë në fokus të ekzekutivit që ai udhëheq.
Më 15 qershor, kryeministri Kurti u takua për herë të parë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Kurti ka paralajmëruar dhe ka shprehur vendosmëri se qeveria e tij do të përgatisë padi kundër Serbisë për gjenocid. Ngritja e padisë kundër Serbisë, është një nga çështjet që pritet të realizohet në kuadër të programit qeverisës. Padia, sipas Kurtit, pritet të ngrihet pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ndryshe, gjatë 100 ditëve, Qeveria Kurti ka arritur të nënshkruajë kontratën e parë me kompaninë Pfizer për blerjen e 1.2 milion dozave të vaksinës kundër koronavirusit.
Ekzekutivi gjithashtu ka miratuar koncept-dokumentin për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme. Ky koncept-dokument përcakton pasurinë e fituar me kryerje të veprës penale, si nxitës kryesor të kriminalitetit. Kjo pasuri i siguron kryesit të veprave penale burim për vazhdimin e aktivitetit kriminal.
Po ashtu, gjatë këtyre 100 ditëve nuk kanë munguar as vendimit për shkarkimin e bordeve të ndërmarrjeve publike e agjencive të pavarura. Ndër vendimet, ka qenë edhe shkarkimi i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka miratuar buxhetin në vlerë prej 2.5 miliardë eurove.
Lufta kundër korrupsionit dhe punësimi, vaksinimi i 60 për qind të popullatës kundër COVID-19 deri në fund të vitit, rritja e prodhimit dhe eksportit si dhe fuqizimi i ndërmarrjeve publike janë prioritetet e Albin Kurtit, partia e të cilit, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit.