Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, ka vizituar kampin veror të SOS Fshatrat e Fëmijëve.
Gjatë një bashkëbisedimi me stafin e SOS Fshatrat e Fëmijëve, kryeministri Kurti u njoftua rreth qëllimit dhe rezultateve të Programit të fuqizimit të familjes, rreth mbarëvajtjes së punëve në përgjithsësi, si edhe aktiviteteve në kuadër të kampit veror dhe organizimet e ndryshme në SOS Fshatrat e Fëmijëve.
Kurti u shpreh i kënaqur me organizimin e këtij programi dhe përgëzoi stafin për punën dhe kujdesin e vazhdueshëm që kanë për fëmijët. Gjatë bisedës me sfafin ai nënvizoi miratimin në dhjetor të vitit të kaluar të Ligjit për shërbimet sociale dhe familjare, ligj, i cili do të fuqizojë përkrahjen për fëmijët që përkujdesjen e gjejnë në SOS Fshatrat e Fëmijëve.
Kryeministri gjithashtu u shoqërua me fëmijët që po marrin pjesë në këtë kamp veror, nga të cilët pranoi edhe një dhuratë simbolike punëdore.
Kampi veror, i organizuar në kuadër të Qendrës Mbështetëse për Fëmijë dhe Familje, nën moton “Një verë me shumë ngjyra”, u vlerësua i sukseshëm. Në të kontribuuan donatorë dhe vullnetarë të shumtë që e bënë të mundur një javë plot argëtim, lojëra dhe kujtime të bukura për fëmijët pjesëmarrës./UBTNews/