UBT News

Kurti viziton familjet e policëve të kidnapuar nga forcat serbe në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar sot familjarët e policëve që u kidnapuan dje nga forcat serbe në kufi me Serbinë e në brendi të territorit të Kosovës.

Në Mitrovicë, kryeministri u mirëprit nga familjarët e Shemë Mustafës, përfshirë të vëllanë e tij që ishte po ashtu polic kufitar.

Siç njofton zyra e kryeministrit, në fshatin Peran të Komunës së Podujevës, ai u prit nga familjarët e Beqir Sefës, në mesin të cilëve ishte dhe djali i tij, që po ashtu është pjesëtar i Policisë së Kosovës në Prishtinë dhe i angazhuar në Task Forcën për veri.

Kryeministri i njoftoi familjarët se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në kontakt me institucionet atje, në përpjekje për të marrë sa më parë dhe sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer.

Në fshatin Letanc të komunës së Podujevës, kryeministri Kurti pastaj vazhdoi me vizitën te familja e Rifat Zekës. Ai shprehu mbështetjen dhe solidaritetin me familjen./UBTNews/

Exit mobile version