Në Ditën Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti bashkë me një pjesë të kabinetit qeveritar bënë homazhe pranë varrit të Heroit Afrim Bunjaku. Ata vizituan edhe familjen e tij, si shenjë respekti për sakrificën e tij në mbrojtje të rendit dhe sigurisë në vend.
Gjatë vizitës, Kurti iu tha familjarëve se heroi Afrim Bunjaku është busullë se si duhet mbrojtur shteti.
Ndërkaq, pas vizitës së varrit të Bunjakut, kryeministri në detyrë, Albin Kurti derisa kujtoi se në shtator mbushen dy vjet nga rënia e tij, theksoi se çdo polic që ia kushton jetën mbrojtjes së Kosovës dhe qytetarëve të saj meriton respekt të përhershëm.
Kurti tha se ndonëse Bunjaku mbante gradën e rreshterit në Polici, sot ai mban gradën më të lartë që Republika mund t’i japë një qytetari, atë të Heroit të Kosovës, gradë nga e cila “s’ka degradim”, sipas tij.
“Ne erdhëm tek varri i Afrim Bunjakut që të bëjmë homazhe, të takojmë familjen e tij. Te rreshteri i cili ra heroikisht në Banjskë të Zveçanit e pas dy muajve bëhen dy vjet të rënies së tij heroike. Të gjithë këta policë që ia kushtuan jetën e tyre shërbimit për Kosovën dhe qytetarët e saj dhe u sakrifikuan në mbrojtje të vendit tonë të paqes e sigurisë meritojnë gjithë respektin tonë dhe duhet t’i kujtojmë e përkujtojmë vazhdimisht. Afrim Bunjaku kishte gradën rreshter në Policinë e Kosovës por sot ai e ka gradën hero i Kosovës. Grada hero është grada më e lartë që mund ta ketë një qytetar i Republikës dhe një zyrtar i shtetit. Është e vetmja gradë nga e cila nuk mund të degradohesh. Heroi i Kosovës Afrim Bunjaku sot kujtohet nga mbarë populli ynë, nga secili zyrtar i shtetit në nderim e kujtim të flijimit të tij për Republikën e Kosovës, integritetin territorial, sovranitetin e shtetit”, tha Kurti.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se këto vizita përkujtimore sjellin emocione të rënda, veçanërisht për familjet e të rënëve, por edhe për Policinë e Kosovës. Megjithatë, sipas tij, ato janë edhe momente krenarie, pasi falë sakrificës së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, janë arritur suksese që dikur dukeshin të paimagjinueshme.
Sveçla theksoi se kjo sakrificë duhet të mbrohet me çdo kusht dhe çdo çmim.
“Këto vizita na kujtojnë momente shumë të rënda, së pari për familje dhe për të gjithë ne dhe Policinë e Kosovës. Mbi të gjitha janë momente krenarie, për shkak se me sakrificën e gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës ne po arrijmë suksese të cilat më herët kanë qenë të paimagjinueshme. Lirisht mund të themi që kjo sakrificë ia ka vlejtur dhe këtë sakrificë duhet ta mbrojmë me çdo kusht dhe çdo çmim”, tha Sveçla.
Në nderim të 14-vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymeri dhe kësaj dite përkujtimore, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë organizuar homazhe shtetërore te Lapidari i Policëve të rënë në detyrë.
Sot, përfaqësues të institucioneve shtetërore kanë vizituar edhe familjen e zyrtarit policor Muhamed Lika, i cili humbi jetën në krye të detyrës.
Po gjatë ditës, janë paraparë edhe homazhe pranë varrit të Heroit Enver Zymeri, vizitë në familjen e tij si dhe nderime pranë lapidarit në vendin e rënies së tij.
Ceremonitë përkujtimore do të përmbyllen në orën 17:00 me pritjen zyrtare të marshuesve në Qendrën për Trajnim për Kërkim-Shpëtim “Berim” në Zubin Potok – Ujman.