Në ditën e parë të punimeve në ndërtimin e Palestrës Sportive në Zhegër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar punëtorët për punën në këtë infrastrukturë të rëndësishme sportive për Zhegrën dhe Gjilanin.
Në një komunikatë për media thuhet se duke vlerësuar kontributin që Zhegra i ka dhënë jo vetëm historisë dhe ekonomisë, por edhe kulturës e sportit, kyeministri Kurti ka theksuar se tani qeveria ka ndarë fonde për ta përmbyllur suksesshëm këtë projekt.
“Ne e kemi për obligim që të investojmë këtu dhe kësisoj ta shpijmë përpara sportin, por edhe aktivitetin shoqëror të këtij vendi. Sporti nuk është veç për sportistët, por është për gjithë sportdashësit, e po ashtu sporti është edhe shëndet. Andaj, ne kemi interes që atë ta bëjmë edhe kulturë të popullsisë, dhe kjo infrastrukturë e re, për të cilën ne nuk do të vonojmë e kursejmë, do të ndihmojë shumë në këtë drejtim”, tha ai.
Kryeministri ritheksoi zotimin e qeverisë për të punuar për zgjidhjen e problemeve të trashëguara nga e kaluara, derisa shtoi se do të sigurohet që njësoj të funksionalizohen të gjitha projektet kapitale të fushës së sportit që janë në ndërtim e sipër.
“Njëkohësisht, Qeveria është duke punuar për të nisur projekte të reja kapitale me qëllim të shtrirjes së infrastrukturës sportive në tërë territorin e Kosovës”, tha ai.
Ky projekt ishte nisur nga komuna e Gjilanit, në bazë të një memorandumi mirëkuptimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vitin 2017, me kontratë deri në vitin 2019. Ndonëse ishte punuar në një pjesë të projektit, për shkak të parregullsive me komunën dhe me pagesat, Operatori Ekonomik e kishte shkëputur kontratën.
Punimet kanë rifilluar sot, pasi gjatë këtij viti Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur tender për një Operator Ekonomik të ri për vazhdim të projektit. Kontrata është nënshkruar më 22 dhjetor 2021, për projektin aktual në vlerë prej 1.2 milion euro.
Në këtë vizitë, kryeministri u shoqërua nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja Daulina Osmani dhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.