Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur sot për takimin që pati javën e kaluar me drejtorin e CIA-s, William Burns, në Prishtinë.
Kurti theksoi se takimi ka shkuar mirë, ndërsa shtoi se vizita e tij në Kosovë është dëshmi e përkushtimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për sigurinë dhe paqen në Kosovë.
“Takimi ka shkuar shumë mirë dhe natyrisht që ne kemi bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe me këtë institucion tejet të rëndësishëm të inteligjencës dhe sigurisë para së gjithash nëpërmjet Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Unë e falënderoj shefin e CIA-sËilliam Burns, i cili vizitoi vendin tonë dhe kjo është edhe një dëshmi tjetër e përkushtimit dhe kujdesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sigurinë edhe parandalimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë për Republikën tonë në kuadër të marrëdhënieve bilaterale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe të paqes dhe stabilitetit e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Kurti.
Këto komente Kurti i bëri gjatë përurimit renovimit të Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare.