Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e parë të Qeverisë së Kosovës për vitin 2023, u shpreh se këtë vit e kanë nisur mbarë, duke përmbushur premtimin e tyre për shtesa për të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare, ndërsa theksoi se ky vit do të jetë vit për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Shefi i ekzekutivit kosovar tha se me projektligjin për investime të qëndrueshme i cili sot është në rend dite të kësaj mbledhje synojnë të mbrojnë dhe tërheqin investimet.
“Angazhimi, puna dhe rezultatet në vitin 2022 duhet të jeni minimum i angazhimit, punës dhe rezultateve të vitit 2023. Le të vazhdojmë pra garën me vetën me bindjen se potenciali ynë është më i madh se aktualiteti që e kemi. Ia kemi filluar mbarë që në ditën e tretë të vitit e para se të arrijmë në gjysmën e mandatit tonë realizuam premtimin për shtesa për të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare. Kurse sot në javën e dytë e në mbledhjen e parë për këtë vit kemi në rend të ditës projektligjin për investimet e qëndrueshme. Nëpërmjet tij synojmë që të mbrojmë dhe të tërheqim investimet, vendosim bazën për të përkrahur industrinë vendore dhe punësimin e qëndrueshëm të fuqizojmë rinin dhe gratë si dhe të thellojmë bashkëpunimin me mërgatën tonë. Me mbrojtjen, demokracinë dhe shtetin ligjor në binar si dhe buxhetin për këtë vit tashmë të miratuar në Kuvendin në vitin 2023 kemi hyrë me më shumë siguri me shumë besim për të ardhmen që synojmë dhe të ardhmen të cilën e meritojmë“, tha ai.
Kurti u shpreh se viti 2023 do të jetë vit për të gjitha fushat, dhe vit ku sfidave do t’u japin përgjigje, e vështirësitë do t’i kthejnë në mundësi.
“Viti 2023 do të jetë vit më shumë për arsimin, shëndetësinë, ushtrinë, bujqësinë, ekonominë e kulturën, vit i edukimit, shëndetit, barazisë, drejtësisë, mirëqenies, sigurisë, prodhimit dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror, vit i të gjithë qytetarëve dhe për Republikën. Sfidave do tu japim përgjigje, vështirësitë do t’i kthejmë në mundësi e përballja me to të na definoj si popull, si shoqëri e si shtet”, tha ai.