Në Ponoshec të Gjakovës, kryeministri Albin Kurti vendosi gurthemelin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët, investim ky i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në vlerë 1.2 milion euro.
Kryeministri Kurti tha se krahas dijes shkencore, shkolla ofron edhe edukimin vleror, që të bëhet pjesë formuese e fëmijëve tanë e shpresë për Republikën tonë.
“Ky është investimi më i mirë për ta dhe për të ardhmen e vendit tonë. Javën e kaluar e vendosëm gurthemelin për ndërtimin e çerdhes në Miresh të Gjilanit, ndërkaq sot, jemi në Ponoshec të Gjakovës, kaq afër Shqipërisë këtu. Po punojmë për ndërtimin e objekteve të reja shkollore, çerdheve, adaptimin e hapësirave ekzistuese diku dhe për përmirësimin e kushteve e të mjeteve mësimore”, tha ai.
Shkolla me sipërfaqe 2.800 metra katrorë është projektuar në dy kate, me 8 klasë mësimi, një hapësirë ndihmëse për pushim për parashkollorët, kantinë me kuzhinë, dhomë të kompjuterëve, dhomë të leximit me bibliotekë, si dhe laboratorin e shkencave të natyrës me kabinet.
Në ceremoni, morën pjesë edhe ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, kryetari i Gjakovës Ardian Gjini, deputetë dhe përfaqësues të fshatit Ponoshec.
Ndryshe, Qeveria ka bërë të ditur se deri në fund të vitit, çerdhet do të hapen edhe në Prizren e në Suharekë, ndërkaq, në vazhdën e këtyre punimeve për ndërtimin dhe adaptimin e hapësirave pritet të bëhen çerdhe edhe në Junik, Skenderaj, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Shtime dhe Malishevë.