UBT News

Kurti: Ujmani është i Kosovës, s’i ka takuar kurrë Serbisë

Kryetari i VV-së, Albin Kurti deklaroi se Ujmani është pasuria e Kosovës, s’i ka takuar kurrë Serbisë. Kurti përmes një shkrimi në Facebook u shpreh se Ujmani është pasuri, sepse është pasuri e Kosovës; jo pasuri natyrore, sepse është i ndërtuar nga dora e njeriut.

“Ujmani nuk është pasuri natyrore por liqe artificial. Ujmani është pasuri, sepse është pasuri e Kosovës; jo pasuri natyrore, sepse i ndërtuar nga dora e njeriut. Ujmani nuk është ujë, Ujmani është tokë, sepse njëherë është tokë e pastaj ujë. Ujmani është tokë e mbushur me ujë. Sipërfaqja e plotë mbi cilën është ndërtuar Ujmani është pronë e Kosovës. Kadastri, pra pronësia, shtrihet më tej se kufiri shtetëror i Republikës së Kosovës me Serbinë. Andaj Ujmani edhe në territorin e Serbisë është i Kosovës. Ujmani është tokë e Kosovës në territor të Serbisë. Por, edhe atje ai është i Kosovës.”, shkroi Kurti mes tjerash në Facebook.

Sipas Kurtit, ‘fakti që nga pikëpamja e kufirit shtetëror ka pjesë të liqenit artificial të Ujmanit, pra tokave, në territorin e Serbisë, nuk thotë asgjë për pronësinë e tokës mbi të cilën sot ka ujë – ajo është aset i ndërmarrjes publike me qeverinë si 100% aksionare në emër të Republikës sonë. Ujmani është çështje prone, jo kufiri’.

Kurti thotë se Ujmani nuk ka pasur kontest, e s’ka pse të përdoret nga Serbia, as si e drejtë dhe as si aset, sepse nuk i ka takuar kurrë asaj dhe as nuk është ndërtuar për pjesë apo zona të saj.

“Kushdo që po flet për Ujmanin si “ujëra që duhen ndarë” përveç që po ia ndihmon Serbisë të krijojë nga hiçi një kontest të pronësive të Kosovës, njëkohësisht edhe po e shtron rrugën që të zgjidhet keq çështja e demarkimit të kufirit kurdo që ajo ndodh. Ujmani s’ka kontest, as nuk ka për çfarë të përdoret nga Serbia, as si e drejtë dhe as si aset, sepse nuk i ka takuar kurrë asaj dhe as nuk është ndërtuar për pjesë apo zona të saj. Ujmani pra nuk i takon Serbisë e madje as nuk i duhet Republikës së Serbisë. Ujmanin duket që e kanë veçse për ‘Zajednicë’, si ujë për ‘Zajednicë’. Ujmani është tokë, ujë dhe energji e Kosovës, nga Kosova, për Kosovën.”, shkroi ai më tej në Facebook./UBTNews

Exit mobile version