UBT News

Kurti udhëton drejt Brukselit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Bruksel, ku nesër pritet të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili u shpreh se ky takim nuk është takim i dialogut, ‘por takim për dialogun’.

“Siç kemi thënë në vazhdmësi, takimi i nesërm nuk është takim i dialogut, por takim për dialogun, për dialogun e ardhshëm. Aty kryeministri Kurti do të paraqes vizionin dhe qëndrimet tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për të, e i cili duhet të jetë parimor dhe i drejtë, në shërbim të popujve të të dy vendeve dhe i shkëputur nga ai i kaluari. Pra nga takimi synohet dakordim rreth kapitullit të ardhshëm të dialogut dhe agjendës së tij, pas diskutimeve shterruese të ditës së premte në Kuvendin e Republikës së Kosovës për dialogun e mëparshëm dhe dëmet e shkaktuar nga ai”, shkroi ai në Facebook.

Kujtojmë se Kurti ka deklaruar se në Bruksel nuk do të bisedojë për Asociacionin, por do të shkojë për t’u dakorduar për takimet e ardhshme. Në anën tjetër, Vuçiq pati deklaruar se nëse Kurti nuk flet për Asociacionin, atëherë ai nuk ka pse të shkojë në Bruksel./UBTNews

Exit mobile version