UBT News

Kurti u ka kërkuar ministrave që t’i sjellin pesë të arriturat e tyre

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se pas mbledhjes së qeverisë, ka kërkuar nga ministrat që gjatë javës së ardhshme t’i sjellin atij pesë të arriturat kryesore. Ai tha se nga secili veç e veç ka kërkuar të dijë se çfarë është punuar një vit e gjysmë qeverisje.

Ai në konferencë për media ka njoftuar se pasdite do të mbahet takimi i komisionit ekzekutiv për shëndetësi, i cili kryesohet nga vet kryeministri. Kurti tha se nuk po synon zëvendësimin e ministrit Rifat Latifi, por që siç tha ai, me gjendjen e rëndë në shëndetësi nuk mund të merret vetëm ministria përkatëse

“Aty komunikimi do të shkoj në rregull, unë jam i bindur për këtë gjë edhe do të ndikojë për të mirë në komplet sektorin e shëndetësisë, jo vetëm në MSh. Sic e dini, unë jam udhëheqës i komisionit ekzekutiv për Fondin Sovran, diçka që lidhet me ekonominë. Jam udhëheqës i komisionit ekzekutiv për arsimin dhe aftësimin profesional në sistemin dual që lidh tregun e punës me shkollat profesionale. E tash jam duke udhëhequr edhe një komision për shëndetësi për të treguar që Qeveria e Kosovës nuk ia lë këtë gjë vetëm ministrisë, jo për ta zëvendësuar atë. Pra, unë nuk do të jem ministri i Shëndetësisë. Qeveria e Kosovës e ka ministër të Shëndetësisë, doktor Rifat Latifin me të cilën unë bashkëpunojë mirë edhe ngusht. Por, gjendja në shëndetësi është aq e rëndë sa që nuk do të mund të merret vetëm ministria me të”, tha ai.

I pyetur se cilat janë tri arritjet e Ministrisë së Shëndetësisë, shefi i ekzekutivit deklaroi se ka kërkuar nga vartësit e tij që prej javës së ardhshme t’i sjellin ato të listuara.

Ai tha se pas mbledhjes së qeverisë kanë pasur një diskutim me ministrat që javën e ardhshme secili ti sjell katër apo pesë të arriturat kryesore.

“Për javën e ardhshme secili prej ministrave t’i sjell katër-pesë të arriturat kryesore për një vit e gjysmë. Sepse me 22 shtator, nesër një javë, në ora 08 të darkës bëhen një vit e gjysmë që qeveria jonë është zgjedhur. Edhe do të më sjellin këto të arritura, por në të njëjtën kohë kam thënë që t’i përmendin edhe katër-pesë të arriturat kryesore që janë të këqijat që i kemi ndalur. Sepse disa të mira vijnë pse janë ndalur disa të këqija, por duhet të ketë edhe të mira të cilat s’janë fare në raport me të keqen. E i kam kërkuar të dyja këto”, ka shtuar ai.

Para mediave, kryeministri Albin Kurti ka shtuar se kanë vërejtur se ka defekte në raportet mes Ministrisë së Shëndetësisë, ShSKUK-së dhe pesë odave të punëtorëve shëndetësor.

Exit mobile version