Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje mërgatës që të marrin pjesë zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.
Pjesëmarrja e tyre në këto zgjedhje është e rëndësishme, pasi sipas tij ata kanë qenë gjithmonë forca e ndryshimeve.
“Me 14 shkurt ju ishit forca që vulosi referendumin, teksa në verën ku jemi, ju ringjallët ekonominë që e lodhi pandemia COVID-19. Tash kur jemi në fund të pushimeve, e po i kthehemi sërish punës meqë po i afrohemi vjeshtës, përsëri jemi para një momenti jetik, tash jo vetëm për vendin e shtetin, por edhe për qytetin, fshatin e lagjen tonë”, tha Kurti.
Kurti tha se kjo është hera e fundit që mërgata do të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës në këtë mënyrë, pasi që synim i tij është ndryshimi i ligjit për zgjedhje, përcjell Klankosova.tv.
“Të dashur bashkatdhetarë, kur na ndajnë vetëm dy muaj nga zgjedhjet, nuk preferohet ndryshimi i ligjit për zgjedhjet. Edhe në këto zgjedhje na presin të njëjat procedura të votimit si në të kaluarën, me synimin që kjo të jetë hera e fundit e mënyrës së vështirë për votim nga jashtë”, shtoi Kurti.
Tutje, ai shtoi se për ndryshim cilësor në nivelin lokat është jashtëzakonisht e rëndësishme, që të gjithë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.