Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas përmbylljes së procesit ofertues për Ankandin Solar Fotovoltaik prej 100 megavatëve, ka deklaruar se Kosova po përforcohet si destinacion i preferuar për të investuar në energji elektrike.
I pari i ekzekutivit theksoi se kapacitetet e energjisë elektrike përkojnë me zhvillimin ekonomik të një shteti dhe se çdo megavat i ri i instaluar paraqet një potencial më të madh të prodhimit e të rritjes ekonomike.
Në ankandin elektronik për projektin e parë solar prej 100 megavateve, ai tutje tha se si qeveri synojnë të punojnë dhe të krijojnë një sektor energjetik që është i sigurt e që vendos qytetarin e Kosovës në qendër.
“Pesë kompani nga Franca, Turqia, Egjipti dhe Zvicra e Kosova, të gjitha lidere të sektorit, asnjëra këtu nuk është rastësisht. Përgjatë më se një viti, institucionet e Kosovës të udhëhequra nga Ministria e Ekonomisë, kanë punuar me mund dhe nder për të zhvilluar një proces transparent dhe të barabartë. Rezultatet e kësaj pune tashmë po i gëzojmë jo vetëm me përmbylljen e ankandit tonë të parë, por me përforcimin e statusit të vendit tonë si destinacion i preferuar për investime në energji, falë politikave stabile të ambientit të sigurtë për të bërë biznes. Kapacitetet e energjisë elektrike përkojnë me zhvillimin ekonomik të një shteti. Çdo megavat i ri i instaluar paraqet një potencial më të madh të prodhimit e të rritjes ekonomike si dhe të përmirësimit të mirëqenies sociale. Për ne, zhvillimi i megavatëve është edhe pasqyrë e parimeve të qeverisjes. Si qeveri synojmëe të punojmë e të krijojmë një sektor energjetik që është i sigurt, që e vendos qytetarin e Kosovës në qendër e që ec në hap me zhvillimet botërore. Ankandi solar 100 megavatësh është pasqyrim i këtyre synimeve”, u shpreh Kurti.
Kryeministri tutje tha se Parkun Solar kanë vendosur ta ndërtojnë në tokë publike, pasi siç tha ai, publikes do t’i shërbejë.
“Themi për një sektor energjik të sigurt sepse po i shtojmë 100 megavatë të ri në prodhimin tonë të energjisë. Themi për një sektor energjetik që vendos qytetarin në qendër të tij, sepse me zgjedhjen e procedurës konkurruese jemi siguruar që do të nxjerrim çmimin më të ulët për blerjen e energjisë. Kjo energji do të jetë e pastër e do të mbrojë mjedisin dhe shëndetin e secilit. Parkun Solar kemi vendosur ta ndërtojmë në tokë publike sepse publikës do t’i shërbejë. Për herë të parë në rajonin tonë po zhvillojmë një proces si ky i sotmi ku çmimet do të jepen në kohë reale e transparencë të plorë. E gjithë kjo nuk do të ishte e mundur pa përkushtimin e Ministrisë së Ekonomisë, institucioneve të tjera të përfshira dhe bashkëpunimin me asistencë nga USAID-i”, tha Kurti.