Kryeministri i vendit Albin Kurti, tha se Kosova ka popullsinë më të re në botë dhe se mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të fëmijëve dhe të rinjtë janë në fokus të politikave të Qeverisë, raporton Ekonomia Online.
Ai në takimin e Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve që funksionon në kuadër të Qeverisë, shtoi se e ardhmja e vendit varet nga fëmijët, prandaj edhe kujdesin ndaj tyre nuk duhet të mungojë.
“Me qëllim të zbatimit të Ligjit për mbrojtje të fëmijëve, Qeveria është e gatshme për mbrojtjen e tyre. Të drejtat e fëmijëve ndërtohen në përpjekje motivuese për edukimin e tyre dhe me përpjekje parandaluese”.
Për të mundësuar jetësimin e njërit nga prioritet e Qeverisë, e që është edukimi i hershëm, ai tha se kanë planifikuar ndërtimin e 50 çerdheve, raporton EO.
“Meqenëse mbrojtja fillon me parandalim, Zyra për qeverisje të mirë ka hartuar programin që po e lansojmë për mbrojtjen e fëmijëve. E ardhmja e vendit tonë do të forcohet nga fëmijët. Takimi është për diskutime konkrete për përmasimin e të drejtave të njeriut”.
“Prioritet i Qeverisë është edukimi i hershëm andaj me buxhetin për 2022 do të fillojë financimi i 50 çerdheve. Pikë e rëndësishme është edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ne duhet të qëndrojmë pas planeve tona për të mbrojtur fëmijët tanë”.