UBT News

​Kurti thirrje ndërkombëtarëve: Serbia të mos konsiderohet shtet normal

Në dy vjetorin e rënies heroike të rreshterit, Afrim Bunjaku krerët shtetërorë kanë bërë homazhe në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë, ku prehet trupi i tij.

Më 24 shtator të vitit 2023, një grup serbësh të armatosur, në krye me terroristin Milan Radoiçiq, sulmuan Policinë e Kosovës. Aty mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe u plagosën të tjerë.

Forcat speciale qëlluan për vdekje tre serbë, ndërkohë që pjesëtarë të grupit terrorist u larguan drejt Serbisë përmes rrugëve malore.

Për të nderuar jetën dhe veprën e heroi Afrim Bunjaku, për homazhe në këtë fshat ishin edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetarë komunash, kolegë të punës si dhe bashkëqytetarë të të ndjerit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se rënia heroike e rreshterit, Afrim Bunjaku i solli Kosovës më shumë integritet territorial, sovranitet shtetëror, e sundim të rendit dhe ligjit.

Teksa kërkoi që tek institucionet e Kosovës të dorëzohen kriminelët e sulmit terrorist në Bansjkë ku mbetu i vrarë rreshteri policor, Kurti bëri thirrje tek bashkësia ndërkombëtarë që Serbinë mos të konsiderojnë si një shtet normal.

Kosova fitoi shumë më tepër integritet territorial, sovranitet shtetëror, sundim të ligjit paqe e siguri. Prandaj, rënia heroike e Afrim Bunjakut nuk ishte e kotë, ishte një rënie e cila e ngriti Republikën e Kosovës, shtetin tonë të pavarur edhe së brendshmi por edhe në reputacionin e saj ndërkombëtarë se kemi të bëjmë me një shtet qe i del zot vetvetes dhe që ka policë që sakrifikohen për të mbrojtur qytetarët pa dallim… Në njërën ai mësyu i pari drejt bllokadës në Banjskë të Zveçanit dhe këtë e bëri si një polic me përvojë… Ai nuk lejoi që policët tjerë që ishin më të rinj se ai t’ia mësynin bllokadës që ishte në rrugë nga kamionët e grupit paramilitar të Serbisë të udhëhequr nga Radoiçiqi… Ne tash i bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal përderisa ajo nuk i dorëzon kriminelët e Serbisë të organizuar dhe udhëhequr nga Milan Radoiçiq dhe të financuar e mbështetur nga Beogradi zyrtar. Aktakuza përfshinë 45 persona, këta duhet t’i dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës”, tha ai.

Sot, bëhen dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, sulm ky i kryer nga një grup paraushtarak, të armatosur me artileri të rëndë. Përgjegjësinë kryesore për këtë sulm terrorist e mori nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Sulmi terrorist i ndodhur para dy vitesh kishte synim aneksimin e veriut të Kosovës.

Ndonëse, ngritja e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës u bë më 11 shtator të vitit 2024, të lirë ende vazhdojnë të jenë 42 të akuzuarit për këtë sulm në krye me Milan Radoiçiqin, ndërsa tre të akuzuarit tjerë të arrestuar nga Policia e Kosovës po ballafaqohen me drejtësinë.

Për 42 të akuzuarit që janë në arrati për këtë sulm terrorist Gjykata Themelorë në Prishtinë ka lëshuar letër rreshtim ndërkombëtar.

Gjykimi ndaj Blagojr Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, ka filluar më 17 prill të këtij viti, ndërsa që të tre të akuzuarit e kanë mohuar fajësinë./D.B/KP

Exit mobile version