Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka zhvilluar telefonatë me sekretarin e Shtetit amerikan, Antony Blinken.
Në një shkrim në Twitter, Kurti ka thënë se është biseduar për pranimin e afganëve në Kosovë, duke shtuar se do t’iu ofrojë ambient të sigurtë.
Tutje u shpreh se aleanca mes Kosovës dhe Amerikës, është e palëkundur.
“Ishte kënaqësi të flisja me sekretarin Antony Blinken sot. Ai e shprehu vlerësimin e Presidentit të SHBA-s për mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë. Kosova është e nderuar të ofrojë një mjedis të sigurt dhe të sigurt për qytetarët afganë gjatë tranzicionit të tyre. Aleanca jonë me SHBA-të është e palëkundur dhe miqësia jonë po bëhet më e fortë”, shkroi Kurti.
Të hënën gjatë ditës, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se deri më tani në Kosovë janë strehuar përkohësisht 683 shtetas afganë.
Ministri u shpeh se përveç kampit Bechtel-Enka në Ferizaj, afganët tani po strehohen edhe në kampin ushtarak amerikan, Bondsteel. Aty, aktualisht janë strehuar 91 afganë.
Ardhja e qytetarëve të tjerë afganë do vazhdojë edhe gjatë kësaj jave.
Më herët, autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se do të strehojnë rreth 2,000 shtetas afganë të cilët kanë punuar me Shtetet e Bashkuara dhe me shtetet anëtare të NATO-s.
Sipas ligjeve në fuqi, Kosova u ka dhënë qëndrim të përkohshëm deri në një vit.