Në Elbasan u zhvillua mbledhja e shtatë mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë.
Mbledhja filloi në orën 10:00 pasi kryeministri Edi Rama priti homologun e Kosovës Albin Kurti me çadër jashtë godinës ku po mbahet mbledhja.
“Do kishim dashur tju prisnim me diell por shpresoj që gjithë ky shi dhe këto pika që kemi mbi kokë të jenë ogur I mirë,” tha zoti Rama në fillim të mbledhjes.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se shqiptarët janë optimistë edhe kur dita nuk është me diell dhe bie shi themi do të jetë bereqet. Zoti Kurti solli në vëmendje tërmetin tragjik të 2 viteve më parë i cili goditi Shqipërinë duke lënë 51 viktima. Ai tha se dhimbja e personave që humbën të dashurit e tyre është edhe dhimbje e tij.
Kurti: Kjo është mbledhja e 7-të ndërmjet qeverive, por mbledhja ime e parë si kryeministër. Sa herë vij në Shqipëri ka një ndjesi të veçantë. Nikollë Nikprelaj thoshte se jemi një Lis me dy Degë paçka se me dy dialekte që sa vjen dhe po njësohen. Tani çfarëdo që po them po analizohet dhe studiohet mirë se ku desha të dal dhe çfarë mesazhi po dërgoj.
Jemi një, paçka se me dy dialekte që sa vjen e po njehsohen falë ndërveprimit në shumë fusha. Ajo që ndiej në Kosovë, është se ka një lloj ndrydhje të dëshirave dhe ndjenjave kur flitet për Shqipërinë. Befas e gjithë shoqëria në Kosovë përjetoi një zëvendësim për të cilin nuk u pyet e nuk u lejua të debatohet.
Kjo është dhe do të mbetet një temë e dhimbshme dhe më të dhimbshme e bën fakti që politikisht nuk është korrekte të diskutohet për të. Të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi, të thuash se jemi të lumtur që kemi 2 shtete do të ishte tepri, të thuash se do të bashkohemi në BE të shquajnë për diplomat. Le të flasim si diplomat, por le të punojmë si patriot. Si diplomat jemi të qartë se mbledhja e 2 qeverive tona është në horizontin e integrimeve.
Sa më të integruar të jemi, aq më e mirë do të jetë jeta e qytetarëve. Njerëzit tanë duhet të lëvizin e punojnë, prandaj duhet t’i zgjerohet biznesi e tregtia. Kjo punë ka nisur të ecë. Së bashku mund të prodhojmë më mirë e të punojmë më shumë. Qartësia se orientimi përbashkët na orienton për lëvizjet më të duhur.
Linja hekurodhore Prishinë Durrës është ekologji dhe fuqi e tokës në det, rritje e rëndësisë së portit kryesor të shqiptarëve. Është e rëndësisë ekonomike dhe gjeopolitike. Ne jetojmë në rajonin tonë e me fqinj tanë me të cilët kemi të kaluar të përbashkët. Marrëveshjet që kemi përpara do të lehtësojnë edhe më tej procedurat.
Siç thoshte Fishta “Vërtet kemi Bajram e Pashkë, shqiptarinë e kemi bashkë”. Po rrisim bashkëpunimin në fushën e drejtësisë si dhe po lehtësojmë njohjen reciproke të diplomave e certifikatave. Për tu siguruar se marrëveshjet do të zbatohen, tashmë kemi koordinator të përbashkët, për çka falenderoj Republikën e Shqipërisë dhe kryeministrin Rama.