Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen sot ndaras me liderë të caktuar të Bashkimit Evropian.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka deklaruar se të enjten në Bruksel nuk do të ketë takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai theksoi po ashtu se presin që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, të kthehen menjëherë dhe pa kushte në përmbushjen e detyrimeve të tyre që rrjedhin nga dialogu, të fillojnë menjëherë dhe pa kushte të punojnë për de-përshkallëzimin ose të vazhdojnë punën për de-përshkallëzim.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri Kurti në margjinat e samitit të liderëve të shteteve anëtare të BE-së, do takojë liderët e Gjermanisë, Olaf Scholz, Francës, Emmanuel Macron, e të Italisë Giorgia Meloni, si dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.
“Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.