Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi këshilltarin Federal të Zvicrës, Beat Jans të cilin e njohu mbi procesin e vettingut dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Kurti shprehu fillimisht mirënjohjen për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj shtetit tonë. Ai theksoi të arriturat e qeverisë përgjatë këtyre tri vjetëve të fundit, luftën kundër korrupsionit, rritjen ekonomike të vendit dhe luftën kundër ilegalitetit në veri.
Në takim u bisedua edhe mbi situatën e sigurisë në rajon, sulmin terrorist e aktin e agresionit në Banjskë më 24 shtator 2023.
Kryeministri Kurti theksoi ndikimin pozitiv të diasporës për Kosovën dhe suksesin e tyre në fushat në të cilat operojnë. Ai potencoi iniciativat e përbashkëta me Zvicrën si dy marrëveshjet për ndihmën e ndërsjellë juridike për transferimin e personave të dënuar dhe ndihmën e ndërsjellë juridike në çështje penale.
Gjithashtu, potenciali i jashtëzakonshëm i diasporës së Kosovës në Zvicër dhe kontributi i tyre në shoqëri, u vlerësua nga Jans.