UBT News

Kurti takoi eurodeputeten Geese, biseduan për rrugëtimin e Kosovës në proceset integruese

Takimi me grupin e të Gjelbërve në Parlamentin Evropian ishte i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Strasbourg, ku u prit nga nënkryetarja Alexandra Geese, e shoqëruar nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon dhe eurodeputeti gjerman, Romeo Franz.

Siç u bë e ditur nga qeveria, rrugëtimi i Kosovës në proceset e integrimit evropian ishte kryetemë e takimit.

Nënkryetarja Geese riafirmoi se e mbështesin aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian si dhe shprehu kënaqësinë që më në fund procesi i liberalizimit të vizave po shkon drejt fazave përfundimtare.

“Përkrahja e vazhdueshme ndaj Qeverisë për reformat e brendshme dhe rezultatet e progresin e shënuar, nuk mungoi as kësaj radhe. Kryeministri Kurti përmendi aprovimin e Strategjisë për Energji 2022-2031 dhe objektivin tonë të tranzicionit dhe avancimit drejt energjisë së gjelbër e të ripërtëritshme, konform dhe agjendës e synimeve të Bashkimit Evropian”, u bë e ditur në komunikatë.

Në takim, siç u bë e ditur, u bisedua dhe mbi procesin e dialogut me Serbinë, propozimin Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për pritshmëritë e takimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut këtë të shtunë. Kryeministri Kurti theksoi që Republika e Kosovë mbetet palë konstruktive, aktive dhe e përkushtuar sipas parimeve të demokracisë dhe vlerave të Bashkimit Evropian.

Exit mobile version