Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ambasadorin francez për Sportin, Damien Combredet-Blassel, ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, si dhe përfaqësues të organizimit të Lojërave Olimpike “Paris 2024” nga organizata France Sport Expertise.
Në takim është diskutuar për përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke përfshirë bashkërendimin institucional dhe infrastrukturën e nevojshme.
Kurti ka thënë se nga përfaqësuesit francezë kanë marrë këshilla lidhur me veprimet që duhet të kenë përparësi në këtë proces, përfshirë qeverisjen dhe menaxhimin, planifikimin e prokurimit dhe zbatimin e projekteve.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përcaktimit të afateve, ndarjes së përgjegjësive, kostove dhe burimeve të financimit.
Kurti ka rikujtuar se në fund të muajit korrik është nënshkruar marrëveshja e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), për investime infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare, si dhe Deklarata e Synimit për themelimin e Komitetit të Përbashkët për këto lojëra.
Sipas tij, këto marrëveshje e bëjnë Francën një partnere të rëndësishme në organizimin e “Prishtina 2030”./A.K/
