Të pranishëm ishin dhe ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisic, dhe përfaqësuesit kroatë në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve pranë Presidencës, Josip Cirimotic dhe Silvana Palic.
Temë e diskutimit ishte bashkëpunimi i Qeverisë me komunitetin dhe njohja më thellësisht me nevojat e tyre.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në takim u diskutua për angazhimin e Qeverisë me komunitetin gjatë vitit e ku Kryeministri shprehu kënaqësinë e tij në marrjen pjesë në Meshë për Krishtlindje në Kishën e Janjevës, si dhe pjesëmarrjen e anëtarëve të kabinetit qeveritar në festimin e 720 vjetorit të Kishës në Janjevë më herët gjatë vitit.
Gjithashtu, u trajtua dhe ndihma e dhënë për qytetarët tanë nga Janjeva, të përzgjedhur nga komisioni për grante nga Zyra për Çështje të Komuniteteve, dhe punën e Qeverisë për zbatimin e plotë të ligjit për përdorimin e gjuhëve, në mënyrë që komunitetet joshumicë të kenë qasje në komunikimet prej qeverisë.
Përfaqësues të komunitetit kroat kanë falënderuar Kryeministrin për mundësinë për të bashkëbiseduar mbi sfidat e tyre dhe mundësinë për bashkëpunim. Ata veçuan nevojën për mbështetje infrastrukturore në Janjevë. Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për të punuar në sigurimin e kushteve sa më të mira për komunitetin kroat në Kosovë.