Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti të martën në mbrëmje u takua me bashkëdrejtuesit e Partisë Guxo, njëherësh zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, si dhe Kryetaren e Alternativës dhe njëherësh Kryetaren e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila.
Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e kryeministrit, gjatë darkës u diskutua mbi zhvillimet aktuale, arritjet dhe sfidat e përmbushjes së agjendës legjislative si dhe planet për të ardhmen, me fokus në agjendën legjislative në interes shtetëror dhe përtej vijave ndarëse politike.
Në takim po ashtu u trajtuan edhe kërkesat dhe qëndrimet e opozitës aktuale në Kuvendin e Kosovës lidhur me procesin zgjedhor.
“Aty u theksua se duke qenë se legjislativi dhe qeverisja kanë arritur në vitin e katërt të mandatit, është e kuptueshme se procesi zgjedhor është çështje e muajve, por që dakordimi për hapat e mëtutjeshëm duhet të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Republikës si dhe harmonizimin e plotë të kërkesës së partive opozitare karshi pozitës në Kuvend. Vetëm atëherë mund të trajtohen seriozisht nismat për diskutime të procesit të ri zgjedhor”, thuhet në njoftim.
Partnerët e koalicionit qeverisës, sipas komunikatës u shprehën të gatshëm dhe tërësisht të bindur se vlerat e kultivuara të demokracisë dhe progresi i deritanishëm i Qeverisë do të vazhdojë bashkë me përcaktimin për shtet demokratik të zhvilluar, me sundim të rendit dhe ligjit dhe për integrim në strukturat veri atlantike.