Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Turqi është mirëpritur nga ministri turk i Tregtisë, Ömer Bolat.
Gjatë takimit, Kurti dhe Bolat kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe ekonomike dhe tregtare dhe u trajtuan mundësitë dhe hapat e mundshëm përpara për thellimin e më tejmë të tyre dhe rritjen e investimeve të dyanshme.
“Forumi Ekonomik që po mbahet sot në Stamboll dhe nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët për Themelimin e Komisionit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar (JETCO), nesër në Ankara ndërmjet ministrit Bolat dhe ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, janë disa prej hapave konkretë në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri Kurti falënderoi ministrin Bolat dhe shtetin turk për mikpritjen përgjatë gjithë vizitës së tij dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës që ka përshkruar etapa të ndryshme, nga çlirimi deri te shpallja e pavarësisë dhe rritjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Në Stamboll sot po mbahet Forumi i parë Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Krahas kryeministrit Kurti, aty po marrin pjesë edhe përfaqësues të tjerë nga kabineti qeveritar, në mesin e tyre, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani dhe zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku.