UBT News

​Kurti: Sulmin terrorist në Banjskë e ka organizuar klani i Novi Sadit, në krye të tij Vuçeviq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një shkrimi në Facebook ka deklaruar se sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit në krye me Ministrin e Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq.

“Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllait të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti thotë se 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ai shtoi se hetimet duhet të tregojnë nëse kjo është e rastësishme.

“Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.
Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin.
Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj”, shkroi ai mes tjerash.

Tutje Kurti tha se a nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit?

“Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, përfundoi Kurti./UBTNews/

Exit mobile version