Sot në një ceremoni të organizuar nga MASHTI, është lansuar Strategjia e Arsimit e cila është dokumenti kryesor për zhvillimin e sektorit të arsimit në vendin tonë për periudhën e ardhshme pesëvjeçare.
Kryeministri Albin Kurti me këtë rast tha se arsimi cilësor është burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës, andaj Qeveria do të vazhdojë me investimet në këtë fushë.
“Për këtë Qeveria ka ndarë 3.5 milionë euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional, 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe djemve për të ndjekur profile deficitare, si dhe rreth 1 mijë kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit. Digjitalizimi është ndër prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në të gjitha fushat, sigurisht në administratë, sigurisht në shëndetësi, sigurisht në industri, por posaçërisht në arsim. Për vitin akademik 2021/2022 i kemi ndarë 1365 bursa universitare për studentet në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës”, tha Kurti.
Kryeministri ritheksoi se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë të fokusuara e të angazhuara për të ofruar mundësi maksimale në arritjen e potencialeve sa më të larta për të vegjlit e të rinjtë tanë, vajzat e djemtë, për të tashmen, por edhe për të ardhmen e tyre, të shoqërisë e shtetit tonë.
Ndryshe, edukimi në fëmijërinë e hershme; ngritja e cilësisë së arsimit parauniversitar; harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me zhvillimet e teknologjisë dhe tregut të punës; cilësia, integriteti dhe konkurrueshmëria e arsimit të lartë; si dhe përdorimi i teknologjisë digjitale për përmirësimin e shërbimeve dhe të cilësisë në arsim, në përputhje me trendet e transformimit digjital; janë shtyllat kryesore, për zhvillimin të gjithmbarshëm.