Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk është në dijen për ndonjë takim të planifikuar gjatë dhjetorit në Bruksel, në mes tij ndërmjetësuesve dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, derisa shtoi se Kosova dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por nuk mund të ketë normalizim pa pasur siguri.
Kurit gjatë vizitës në komunën e Gjilanit, është pyetur nëse do të ketë takim në mes tij dhe Vuçiqit gjatë muajit dhjetor në Bruksel, gjë që Kurti tha se nuk është në dijeni nëse do të ketë një të tillë.
“Nuk jam në dijeni për ndonjë takim të planifikuar por ju e keni të qartë se unë si kryeministër, Qeveria e Republikës së Kosovës, kanë qenë gjithmonë të përkushtuar, konstruktive, kreative por nga sulmi terrorist, kriminal në Banjskë të Zveçanit, ne duhet të theksojmë se prioritet i shtetit të Kosovës është siguria. Është siguria e kufijve, ne duam normalizim të marrëdhënieve me Serbinë por nuk mund të kemi normalizim pa pasur siguri, e siguria nënkupton që kriminelët terroristët nuk duhet të jenë të lirë si fatkeqësisht po ndodhë Serbi. Ndërkaq, kufiri i Kosovës i cili është 881 kilometra vetëm në pjesën në Serbi, duhet të jetë i sigurt, andaj edhe për mbrojtjen e tij po angazhohemi në institucionet tona të sigurisë por edhe me partnerët tonë ndërkombëtarë”, u shpreh Kurti.
Kurti është pyetur se edhe për paralajmërimin e Lajçakut lidhur me marrëveshjen për energjinë, ku tha se të gjitha vonesat ndodhin nga pala tjetër tash gati dy vjet.
“Ajo është dashur të kryhet në vitin 2021, meqë nuk u kryer në vitin 2021, është dashur të kryhet në vitin 2022, meqë nuk u krye as në vitin 2022, ka mbetur edhe një muaj i vitit 2023, të kryhet. Sa na përket neve jemi shumë të interesuar, por të gjitha vonesat dhe sabotimet bëhen nga pala tjetër në vazhdimësi tash më shumë e tash dy vjet”, shtoi Kurti.
Kryeministri Kurti është pyetur edhe për zgjedhjet e 17 dhjetorit në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ku tha se ao pjesë e ka gjithmonë mbështetjen e Kosovës.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës ne vazhdimisht po e rritim buxhetin i cili dedikohet shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe jemi të interesuar që t’i mbështesim ata në çdo aspekt, sa i përket zgjedhjeve që mbahen në Serbi, natyrisht që ne japim kontributin tonë që zëri dhe interesi i shqiptarëve të jenë sa më shumë të përfaqësuar dhe ky kontribut i yni të bëhet në mes takimeve me ata dhe sidomos në mes këshilltares time për Preshevë, Medvegjë dhe Bujnanoc, këshilltares politike si zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës që jam, që në këtë mënyrë të krijohet edhe bashkëpunimi i ngushtë por edhe organizmi i sa më i madh për fitoren e sa më shumë mandateve atje. Nuk kisha dashur që të them diçka që mund të mos bëhet në fund të zgjedhjeve por as të ulë pritjet sepse nuk e di si do të shkojnë ato zgjedhje, ju e dini që Serbia nuk është vend demokratik sikur ne. Por gjithë mbështetjen tonë e kanë, në këtë vit e kishin buxhetin 2 milionë euro, ndërkaq në vitin e ardhshëm e kemi shtuar e kemi bërë 3 milionë euro dhe në këtë mënyrë ne po vendosim dyshe përfund së cilës nuk mund të shkojë as qeveria jonë në vitet e ardhshme por as një qeveri në të ardhme”, tha Kurti.
Ai së bashku me kryetarin e komunës së Gjilanit, Alban Hyseni kanë shpalosur projektet të cilat janë realizuar dhe ato të cilat do të përfundojnë për vitin 2024.
“Në Gjilan siç shihet po vij për punë, dhe po gjej punë sepse popullsia e Gjilanit, ashtu sikur edhe kryetari janë shumë punëtorë, për të filluar projekte për të parë punimet, për t’i përuruar sot dhe kësi lloj vizitash do të vazhdojnë të shpeshtohen për shkak se edhe punët janë gjithnjë më të mëdha. Më këtë rast më lejoni të përmend tre projekte gjigande të cilat janë shumë të rëndësishme për Gjilani si kryeqytet i Anamoravës, i pari është stadiumi i qytetit me rreth 15 milionë euro, procedura e nderimit do të fillojë javën e ardhshme, i dyti është unaza rrugore e qytetit me përafërsisht 26 milionë euro i cili tashmë është buxhetuar për vitin e ardhshëm 2024. Dhe i treti bulevardi me rreth 20 mijë metra katror hapësirë publike me infrastrukturë nëntokësore me parking nëntokësorë i cili ka një kosto përafërsisht prej 12 milionë euro dhe gjithashtu është buxhetuar për vitin e ardhshëm”, tha Kurti.
Kurti dhe Hyseni vizituanpunimet në fillimin e rrugës “Hamdi Kurteshi”, si dhe inaguaruan parkun “Banja”.