Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas me temën kryesore “Barabarësia: Parakusht për Ripërtërirje të Demokracisë”, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik.
Në një fjalë rasti, Kurti deklaroi se në Kosovë nuk mund të ketë demokraci, nëse nuk ka barazi gjinore.
“Politika është e lidhur me bindjet në mënyrë të pashkëputur. Janë analizat dhe kërkimet, por në politikbërje janë të rëndësishme bindjet. Unë besoj se nuk mund të kemi demokraci pa barazi gjinore”, tha ai.
Kurti theksoi se ajo ndërtohet mbi pluralizëm, sundim të ligjit dhe barazi gjinore.
“Ajo ndërtohet mbi pluralizëm, sundim të ligjit dhe barazi gjinore. Barazia gjinore është ajo që përbën urën për barazi shoqërore. Sa i përket Kosovës, unë besoj se ajo është duke u përmirësuar dhe përmirësimi është më i shpejtë se kurrë më parë”, shtoi Kurti.
Kurti ka deklaruar se vitin e kaluar kishte publikuar takimet me dy familje serbe në Istog, dhe se menjëherë ka pasuar hakmarrja ndaj tyre.
“Unë kurrë nuk kam pasur takime më shumë takime me serbët lokalë sesa në vitin 2022. Por më duhet të them që pothuajse të gjitha ato takime nuk janë bërë publike dhe kjo bëhet me kërkesë të atyre që i takoj, dhe si për të vërtetuar që kanë pasur të drejtë, kur isha me ministrin tim për Komunitet dhe Kthim, Nenad Rsashiq në Istog në dy familje serbe, pasi që i kemi publikuar ato dy takime, menjëherë ka pësuar një hakmarrje strukturore e eksponentëve të caktuar të strukturave paralele të Serbisë, të cilët kanë filluar që atyre t’u vështirësohet jeta, qoftë duke ua ndalur ndihmat, qoftë duke pasur pasoja në sistemin arsimor ata dhe familjet e tyre. Menjëherë po pason goditja nga Beogradi zyrtar dhe mekanizmat që i ka në Kosovë, atëherë kur ata po bashkëpunojnë me Qeverinë e Republikës”, ka thënë Kurti.