UBT News

Kurti: Sllovenia, vend mik dhe mbështetës i besueshëm i Kosovës

Historikisht, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve tanë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shumë të mira dhe po forcohen dita-ditës, tha kryeministri Albin Kurti, në pritjen e fundvitit të organizuar nga Ambasada e Sllovenisë.

“Kemi ngjashmëri në histori, një histori ku Sllovenia qëndroi fort me popullin e Kosovës – duke qenë një mik dhe mbështetës i besueshëm. Dhe ne kemi edhe një të ardhme të përbashkët – një të ardhme brenda familjes evropiane – duke ndarë vlerat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe vullnetit dhe punës së palodhur për prosperitet socio-ekonomik”, tha Kurti.

Duke folur rreth marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, kryeministri Kurti tha se Sllovenia mbetet një partner shumë i rëndësishëm për Kosovën, pasi që viteve të fundit shkëmbimet tregtare kanë treguar trende të rritjes së vazhdueshme.

“Vitin e kaluar importet nga Sllovenia në Kosovë ishin rreth 177 milionë euro, ndërsa eksportet tona në Slloveni ishin vetëm rreth 10 milionë euro. Gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, eksportet tona në Slloveni janë rritur, duke arritur në 28 milionë euro, që është një rritje mbresëlënëse prej 180%. Në investimet e huaja direkte kemi parë gjithashtu rritje të jashtëzakonshme nga Sllovenia, nga rreth 6 milionë euro në periudhën janar-tetor 2021 në rreth 26 milionë euro për të njëjtën periudhë në 2022, një normë rritjeje prej 350%”, theksoi kryeministri Kurti.

Ai tha se do të punojnë si dy vende dhe sektorë privatë përkatës për të forcuar dhe rritur më tej marrëdhëniet tona ekonomike dypalëshe.

“Për vitin dhe vitet në vijim shpresoj veçanërisht që marrëdhëniet tona shumë të mira kulturore dhe politike do të rriten në terma të fortë, ashtu si shkëmbimi ynë ekonomik dhe tregtar”, tha Kurti në përmbyllje të fjalës së tij.

Exit mobile version