UBT News

Kurti: Sistemi gjyqësor e prokurorial duhet të zhvishen nga çdo lloj ndikimi politik

Kryeministri Albin Kurti gjatë lansimit të Strategjisë Kundër Korrupsionit ka thënë se janë të obliguar të krijojnë një ambient ku sistemi gjyqësor e prokurorial të zhvishën nga çdo lloj ndikimi politik.

Kurti shtoi se reformën po e vazhdojnë me vetting të pozitave të larta në sistemin gjyqësor e prokurorial dhe luftim të pasurisë së pajustifikueshme me Byronë Shtetërore për konfiskim të pasurisë.

“Reformën po e vazhdojmë me vettingun. Vonimi i rezultateve që me këto mjete të fuqishme kundër korrupsionit zyrtarë, mund të numëroheshin edhe sot, bie në përgjegjësinë e partive opozitare që mbështjellin pengimin e çdo reforme me adresimin te Kushtetuesja. Sot jemi mbledhur për të përmbushur zotim dhe përgjegjësinë për ta hartuara Strategjinë Kundër Korrupsionit duke shtruar rrugën drejt një shoqërie të çliruara nga korrupsioni. Është detyrë e jona që përmes reformës institucionale e propozimeve për plotësim apo ndryshim të kornizës ligjore të ruajmë pasurinë buxhetin shtetëror e të sigurojmë transparencë. Duhet ta kthejmë vëmendjen nga prokurorimi publik dhe të sigurohemi që çdo kompani e papërgjegjshme vihet në listë të zezë. Jemi të obliguar të krijojmë ambient ku sistemi gjyqësor e prokurorial zhveshët nga çdo lloj ndikimi politik dhe vepron vetëm në bazë të ndërgjegjes personale dhe përgatitjes profesionale të gjyqtarit dhe prokurorit në bazë të të cilit edhe gjykohet nga publiku”, tha Kurti.

Kryeministri ka theksuar se duan një shoqëri që tregon zero tolerancë ndaj korrupsionit, zero tolerancë ndaj ryshfetit e kontratave në këmbim të parave.

Mes tjerash, me këtë rast theksoi se lufta e Qeverisë ndaj korrupsionit ka ndikuar edhe në rritjen e ekonomisë.

“Mungesa e korrupsionit në Qeveri, përmirësimi në fushën e sundimit të ligjit kanë ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik. Qytetarët tanë kanë besuar këtë duke dëshmuar me votime masive në zgjedhjet e fundit. Këtë besim po e shndërrojmë në rezultatet të cilat po tregojnë që zyrtari publik punon për publikun e jo për t’u pasuruar për vete apo për dikë tjetër privatisht. Gjatë qeverisjes dy vjeçare kemi rezultate të prekshme në luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës, që ka rezultuar me arrestimin e mbi 3 mijë e 200 personave, prej të cilëve mbi 300 janë zyrtarë publik e me 38 të arrestuar vetëm në rastin e keqpërdorimeve me subvencionet”, theksoi Kurti.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se përmes kësaj strategjie synohet të luftohet korrupsioni nga të gjitha nivelet, duke vendosur një strukturë të fuqishme për parandalimin dhe luftimin efektiv të korrupsionit, e cila nuk do të lë hapësirë për mosndëshkim.

“Të gjithë e njohim ndikimin e rëndë që ka korrupsioni në shoqëri, pengon rritjen ekonomike dhe pengon qytetarët nga shërbimet dhe mundësitë themelore për të zhvilluar jetesë të dinjitetshme. Sot po shënojmë një ditë të rëndësishme në përpjekjet tona të vazhdueshme për të luftuar korrupsionin në Kosovë, ashtu siç e kemi premtuar. Përmes kësaj strategjie synojmë të luftojmë korrupsionin nga të gjitha anët duke vendosur një strukturë të fuqishme për parandalimin dhe luftimin efektiv të korrupsionit, e cila nuk do të lë hapësirë për mosndëshkim”, tha Murati.

Exit mobile version