Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka komentuar ardhjen e emisarëve evropianë dhe amerikanë në Kosovë, duke thënë se kërkesat dhe ofertat e tyre do t’i mësojë nesër.
Kurti i bëri këto komente pas vënies së gurthemelit të çerdhes në Godanc të Shtimes, ku tha se nuk mund të ketë normalizim pa siguri.
“Çka do të kërkojnë e çka do të ofrojnë e marrim vesh nesër. Unë mund të them se nuk mund të kemi normalizim pa siguri dhe siguria e Republikës së Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit por edhe për popullin e shoqërinë, për këtë ne punojnë ditë e natë. Në dhjetorin e vitit të kaluar i kishim tri javë 16 barrikada në veri. Më 26 ishte një sulm terroristë ku është vrarë heroi i Kosovës Afrim Bunjaku. Është jetike për Kosovën, demokracinë por edhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi që ata që nuk e kanë ditur ose nuk e kanë kuptuar se kush është Serbia dhe Beogradi zyrtar, më në fund duhet ta bëjnë këtë sepse nuk është Kosova që duhet t’i vënë masa ndëshkuese por është Serbia ajo që duhet t’i vendosen sanksionet. Sa i përket dialogut në Bruksel, ne prej atje kemi marrëveshje por sërish për shkak të Serbisë nuk është zbatuar. Ne kemi edhe marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të 18 marsit. Ne kemi qenë përherë konstruktiv, kreativ dhe të përkushtuar dhe kurrsesi nuk ka faj apo përgjegjësi në anën tonë pëse Kosova dhe Serbia nuk i kanë marrëdhëniet normale. Marrëveshja bazike e Brukselit nga 27 shkurti e ka në qendër njohjen defakto reciproke dhe sa më parë që zbatohet ajo, do të kemi jo vetëm normalizim demokratik e evropian, por edhe siguri për vendin tonë e rajonin”, tha ai.
Kurti është pyetur edhe për kushtet e policëve, për të cilat tha se edhe personalisht po merret por që kërkoi më shumë kohë për t’i rregulluar.
“Kjo është një çështje që ne e kemi konsideruar me intensitet të lartë dhe po punojmë intenzivisht. Duhet t’i ndajmë nevojat, meritat dhe dëshirat dhe gjithashtu duhet të kemi kategorizim, klasifikim e sistematizim të kujdesshëm që të mos krijojmë pabarazi shtesë. Unë personalisht jam duke u marrë me këtë temë veç na duhet edhe pak kohë që të mos bëjmë gabime që do të shkaktojmë zhgënjime e pendesa. Edhe kur e patëm bërë ligjin për paga na pa të marrë më shumë kohë se sa patëm menduar fillimisht, mirëpo koha shtesë që e morëm ia ka vlejtur për shkak se i kemi minimizuar maksimalisht defektet në vijim, andaj unë këtë e kam prioritet të lart dhe iu siguroj që po bëj krejt çka mundem dhe dijë. Policia e Kosovës, organet tona në përgjithësi të sigurisë janë në nivel të detyrës dhe e kanë mbështetjen e Republikës së Kosovës. Nevojat, meritat janë më të thjeshta. Zgjidhja është më komplekse dhe na jepni edhe ca më shumë kohë që mos të bëjmë asnjë gabim ose defekt”, tha ai.
Në fokus të takimeve të emisarëve evropianë dhe amerikanë, pritet të jetë plani që palët t’i rikthejnë në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve.