Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për gazetën zvicerane Tages-Anzeiger paralajmëron rrezikun e “hegjemonisë pansllave” të Serbisë dhe Rusisë në Ballkan.
Kurti, para vizitës së tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ka thënë se takimi i tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq varet nga i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak.
Ai po ashtu flet dhe për vizitën e tij në Davos, ku do të bëjë ftesë për investime në Kosovë.
Intervista e plotë:
Zoti Kurti, ju do të shkoni në Forumin Ekonomik Botëror në Davos këtë javë, cili është mesazhi juaj atje?
Vizitoni dhe investoni në Kosovë! Sepse Kosova është një vend progresiv, pro-evropian dhe demokratik. Kosova është një histori e dyfishtë suksesi. Në vitin 1999, shtetet demokratike të NATO-s ndaluan gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Që atëherë, ne kemi dëshmuar se zhvillimi ekonomik dhe demokracia shkojnë me njëra tjetrën.
A do të takoheni me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe do të kërkoni një zgjidhje në marrëdhëniet e bllokuara mes Beogradit dhe Prishtinës?
Kjo varet nga i dërguari i posaçëm i BE, Miroslav Lajçak. Ne jemi të interesuar për të arritur një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, bazuar në njohjen reciproke. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për një dialog konstruktiv.
Kohët e fundit, megjithatë, qëndrimi i juaj i ashpër në mosmarrëveshjen për njohjen reciproke të targave ka kontribuar në një përshkallëzim të situatës.
A do ta pranonte Zvicra nëse një pakicë në vend do të udhëtonte me targa italiane apo franceze për vite me radhë? Shumica dërmuese e serbëve në veri të vendit tonë nuk kanë asnjë problem me targat e Kosovës. Një grup i vogël instrumentalizohet nga Beogradi. Njerëzit e armatosur pas barrikadave nuk janë të interesuar për të drejtat e njeriut, por për territor. Ata duan të mbrojnë veriun e Kosovës si zonë pa ligj. Ne kemi shkatërruar gjashtë laboratorë droge në komunat veriore dhe laboratorë për prodhimin e kriptovalutave që kanë përfituar nga rryma falas. Atje askush nuk i paguan faturat e energjisë elektrike.
Serbët janë dorëhequr nga puna në polici dhe gjyqësor. Ky është një kthim prapa në integrimin e pakicës serbe.
Unë nuk mendoj kështu. Gjatë dhjetë viteve të fundit ne kemi pasur një integrim të rremë. Zyrtarët serbë kryesisht i kanë bojkotuar seancat. Me ministrin tim të ri serb dhe këshilltaren e tij, tani kemi një integrim të vërtetë. Ata janë dy personat e urryer në Beograd edhe më shumë se unë.
Dikur i fituat zgjedhjet duke premtuar se do ta luftoni korrupsionin e kohës së pasluftës. Nga ana tjetër, marrëdhëniet me Serbinë nuk i kishit prioritet. A ishte ky një gabim?
Beogradi është nervoz sepse ne po ecim mjaft mirë edhe pse nuk na njohin. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, ne kemi bërë përparim të madh në luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave.
Por prapëseprapë, Kosova pa rregulluar marrëdhënien me Serbinë mbetet pezull.
Sigurisht, fqinji ynë në veri do të jetë aty. Por kam mjaft për të bërë në shtëpi. Buxheti ynë është 17 për qind më i lartë se një vit më parë dhe kemi pasur mbi 10 për qind rritje gjatë vitit të kaluar. Me fjalë të tjera, ne jemi në një rrugë të mirë, pavarësisht mosnjohjes nga Beogradi. Kur zgjohem në mëngjes dhe mendoj për prioritetet e ditës, Serbia nuk është e para.
Ju dëshironit të kërkoni dialog me serbët vendas në vend të Beogradit. Kjo nuk u vu re shumë.
Asnjë shef i qeverisë para meje nuk ka pasur kaq shumë takime me përfaqësues të shoqërisë civile serbe. Por ne nuk e bëjmë atë publikisht. Unë punësova një këshilltar serb në fillim të mandatit tim të parë. Sapo emërimi i tij u bë publik, ai dhe gruaja e tij u kërcënuan aq shumë sa i riu dha dorëheqjen nga posti. Të tjerë para tij që donin integrim janë vrarë.
Të rinjtë po votojnë me këmbë, jo vetëm pjesëtarët e minoritetit serb, por edhe shumë shqiptarë të Kosovës po largohen nga Kosova.
Sigurisht, për fat të keq është kështu. Ne po punojmë për të ndryshuar trendin. Unë jam edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por, siç ka thënë së fundmi presidenti amerikan Joe Biden, njohja reciproke duhet të jetë në qendër. Deri më tani, në dialogun e Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, gjithmonë na është kërkuar të bëjmë kompromise dhe lëshime, me idenë se Serbia në fund do të na njohë. Por kështu kjo nuk do të ndodhë kurrë.
A nuk është BE-ja më e rëndësishme për Kosovën sesa ShBA-ja?
Të njëjtën gjë ka thënë edhe Olaf Scholz, edhe pse Biden e tha i pari. Por BE-ja duhet të mendojë nëse dëshiron të vazhdojë të japë fonde pa kushte. Beogradi nuk ka miratuar sanksionet kundër Moskës dhe merr gazin më të lirë nga Rusia. Për Beogradin, marrëdhëniet me Rusinë dhe gjithashtu me Kinën kanë prioritet. Kjo duhet të ketë një çmim.
Presidenti Vuçiq ishte ministër i propagandës i diktatorit Slobodan Millosheviç, ndërsa ju u dërguat në Beograd si i burgosur politik. A ndikon kjo në bashkëpunimin tuaj?
E di me kë kam të bëj. Gjermania pati denazifikimin pas Luftës së Dytë Botërore. Serbia nuk është marrë me të kaluarën e saj. Aleksandar Vuçiq më ka përshkruar në mediat e tij propagandistike si llum terrorist. Në të njëjtën kohë, gjeneralëve serbë të dënuar për krime lufte u jepet një post në akademinë ushtarake pas përfundimit të burgimit të tyre në Beograd. Çfarë duhet të ligjërojnë ata aty?
Nga këndvështrimi juaj, normalizimi me fqinjin më të rëndësishëm, pra, nuk është i mundur?
Serbia nuk është një vend normal, sepse nuk është distancuar nga trashëgimia e kohës së diktatorit Slobodan Millosheviq. Tani shtojini kësaj mos distancimin ndaj Vladimir Putini dhe luftës së tij në Ukrainë. Demokracia ishte një interludë e shkurtër në Serbi pas përfundimit të diktaturës. Së shpejti do të bëhen 20 vjet që kur kryeministri properëndimor serb Zoran Gjingjiq u vra në Beograd. Që atëherë, forcat e errëta në Serbi festojnë rikthimin. Beogradi kërkon një marrëdhënie me fqinjët e tij të ngjashme me atë që ka Moska me Ukrainën dhe Bjellorusinë. Prandaj kjo fqinjësi është një rrezik sigurie për ne.
A mund të imagjinohet një konflikt më i madh si në vitet 1990?
Do të ishte e papërgjegjshme të thuhet se nuk ka rrezik përshkallëzimi. Që nga sulmi i Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt, ne kemi parë indikatorë të një hegjemonie pansllave, siç janë stërvitjet e përbashkëta ushtarake midis Serbisë dhe Rusisë. Edhe disa qindra njerëz mund të shkaktojnë dëme të mëdha.
Çfarë kuptoni me hegjemoninë pansllaviste?
Serbia dëshiron Republikën Serbe në Bosnjë, Malin e Zi dhe veriun e Kosovës dëshiron ta kthejë në një sferë të ndikimit. Njëjtë siç sillet Rusia me Bjellorusinë dhe Ukrainën. Problemi ynë është se partnerët tanë perëndimorë besojnë se Serbia po udhëhiqet vetëm nga oportunizmi, se është në pritje të përfundimit të epokës së Putinit dhe pastaj do të orientohet qartë drejt Evropës. Kjo është naive. Aleksandar Vuçiq më shumë pret kthimin e Donald Trump në Uashington sesa fundin e luftës në Ukrainë. 80 për qind e popullsisë ka një opinion pozitiv për Vladimir Putin. Serbia e sheh veten si pjesë e një sfere pan-sllave, ortodokse jashtë Evropës.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, kohët e fundit ju akuzoi se jeni pengesa kryesore për bllokimin e bisedimeve të normalizimit me Serbinë. Pse nuk i zbatoni marrëveshjet si ato për autonominë e një asociacioni serb të komunave?
Në dhjetë vitet e fundit kemi nënshkruar 33 marrëveshje me Serbinë. Pothuajse asgjë nuk është zbatuar. Disa nga këto marrëveshje do të ishin edhe në interesin tonë, por Beogradi gjithmonë insiston në autonominë të komunave me shumicës serbe. Pse mendoni që është ashtu? Serbia dëshiron që Kosova, sikurse Bosnja, të ketë shtet në shtet me Republikën Srpska, pra të bëhet jofunksionale. I thashë Vuçiqit se nëse vërtet dëshiron të bëjë diçka për minoritetin serb, duhet ta njohë Kosovën. Ai nuk mund të thotë se Kosova është “shtet i rremë” dhe në të njëjtën kohë të kërkoj autonomi komunale brenda këtij shteti. Është si të porosisni çaj pa filxhan. Ne nuk jemi budallenj.
Ukraina, një vend në luftë, i është dhënë statusi i kandidatit për në BE. Më shumë se 20 vjet pas përfundimit të luftës, Kosova është larg kësaj. A jeni të zhgënjyer në BE?
Nuk kemi alternativë ndaj BE-së. Nuk ka kuptim të jesh i hidhur apo i zhgënjyer. Isha shumë krenar kur më 15 dhjetor dorëzova aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. A e dini se çfarë bëri presidenti i Serbisë? Ai u ka shkruar të gjitha pesë shteteve mos-njohëse në BE që të mos e pranojnë aplikimin e Kosovës. Jam shumë i lumtur që Ukraina mori statusin kandidat. Ukraina e meriton. Ukrainasit meritojnë solidaritet të plotë në luftën e tyre kundër fashizmit rus.
Më 1 janar të vitit të ardhshëm, Kosova do të jetë vendi i fundit ballkanik që do t’i jepet viza pa viza për zonën Shengen. A do të përshpejtohet atëherë eksodi i të rinjve?
Njerëzit me arsim tashmë marrin viza pune. Gjermania është tërheqëse dhe e uritur për punëtorë. Kushdo që donte të shkonte e ka shfrytëzuar shansin e tij prej kohësh. Disa kthehen dhe më pas investojnë këtu. Por është e rëndësishme që vizitat familjare të bëhen më të lehta dhe njerëzit të mund të vizitojnë Evropën Perëndimore, pa pasur nevojë të shpenzojnë shumë para për një vizë.
A nuk është problem edhe për Kosovën eksodi? Kompanitë tani po marrin punëtorë nga India ose Tajlanda.
Është një problem i madh. Ne kemi shumë juristë dhe politologë që duan të bëhen diplomatë. Por ne kemi vetëm 30 ambasada. Si mund t’i akomodojmë të gjithë këta diplomatë? Ajo që i mungon tregut tonë janë, për shembull, kuzhinierë të trajnuar, muratorë apo floktarë. Kjo është arsyeja pse ne po punojmë për të zbatuar një sistem dual të arsimit si në Zvicër apo Gjermani.
Marrë nga KosovaPress