UBT News

Kurti: Rritja mesatare ekonomike në këto dy vjet ishte rreth 7 për qind

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë renditi disa nga sukseset që, sipas tij, e karakterizuan qeverisjen dy-vjeçare të tij.

Në dyvjetorin e marrjes së detyrës, Kurti ka thënë se Kosova nën udhëheqjen e tij ka pasur ringjallje ekonomike dhe rikthim të normalitetit.

Kurti tha se rritja mesatare ekonomike në këto dy vjet ka qenë 7 për qind dhe shtim të buxhetit si rezultat i qeverisjes së mire.

Kryeministri ka përmendur edhe sfidat, pandeminë Covid 19, krizën energjetike dhe luftën në Ukrainë.

“Përkundër vështirësisë të shkaktuar nga pandemia, kriza energjetike dhe pasojat e luftës në Ukrainë, rritja mesatare ekonomike në këto dy vjet ka qenë rreth 7 për qind, që është më e lartë se cdo rritje tjetër mesatare në dy vitet tjera rresht që nga shpallja e pavarësisë. Për dy vjet buxhetit të shtetit i janë shtuar 760 milionë euro, kurse ekonomisë 2.1 miliardë euro. Të gjitha këto pa ndryshime të politikave fiskale, kjo si rezultat i qeverisjes së mirë”, theksoi Kurti.

Në këtë paraqitje, Kurti nuk la pa fajësuar edhe qeveritë e kaluara.

“Në Kosovë varësia ndaj importit të energjisë elektrike në mungesë të kapaciteteve të mjaftueshme të gjenerimit të energjisë elektrike dhe ndaj produkteve që konsumojmë në mungesë të prodhimtarisë vendore zhveshi paturpësisht keq qeverisjen 13-vjeçare dhe shkurtpamësinë e politikave ekonomike. Vendi kishte nevojë për rikthim, rikuperim dhe ringjalljes. Rikthim të nomalitetit, rikuperim të dëmeve dhe ringjallje të ekonomisë”, theksoi ai.

Kurti po ashtu ka thënë se në këto 24 muaj qeverisje, vullneti dhe ambiciet e tyre janë përballur me një trend të rëndë e të trashëguar dhe në të njëjtën kohë me sfida.

Exit mobile version