Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se ngritja e çmimeve të produkteve elementare dhe naftës është kosto e lirisë dhe demokracisë. Ai tha se agresioni rus në Ukrainë po dikton rritjen e çmimeve dhe se qeveria nuk i vendos ato, e aq më pak ai.
Në mbledhjen e qeverisë, kreu i ekzekutivit premtoi rigorozitet në kontrollet për manipulimet dhe përfitimin e mundshëm në emër të krizës.
“Nëse në fund të vitit të kaluar ishte kriza energjetike ajo që nxiti ngritjen e çmimit të vajit, sheqerit, drithërave, mishit dhe produkteve të qumështit, këtë vit është lufta në Ukrainë dhe përballja e perëndimit demokratik të bashkuar kundër Rusisë despotike, ajo që po dikton rritjen e çmimit të naftës. Kujtojmë se Rusia është një prej eksportuesve më të mëdhenj të naftës dhe gazit në tregun botëror. Energjia elektrike që mundëson prodhimin dhe nafta që mundëson transportin e produkteve të prodhuara, njëra në fillim dhe tjetra në fund të zinxhirit të produkteve që konsumojmë na përcaktojnë në masë të konsiderueshme çmimet që i shohim në raftet e maketeve tona. E di dhe e kuptoj shqetësimin e secilit prej jush që është gjithsecili prej nesh për rritjen e çmimeve edhe pse kjo gjë nuk është shkaktuar nga ne, as si vend dhe as si qeveri. Ajo megjithatë po na prek edhe neve. Kur para 13 ditëve iu bashkuam botës perëndimore për të vendosur sanksione kundër agresionit rus në Ukrainë, një kosto e tillë ishte e pashmangshme. Mirëpo kjo është kosto e lirisë dhe demokracisë”, tha ai.
Ai tha se vartësia e Kosovës nga importi është e madhe, pasojë siç tha ai e ish-qeverive të kaluara që nuk e kanë trajtuar me prioritet prodhimin vendor.
“Për shumë gjatë prodhimtaria vendore nuk është trajtuar me prioritet nga ata të tjerët që dikur uleshin këtu në vend tonin. Por pavarësisht gjithë kësaj, si qeveri jemi munduar të zbusim ndikimin e kësaj situate. Sidomos tek ata që janë më të cenueshëm, pasi krizat na prekin të gjithëve, por jo të gjithëve njësoj… Unë e di se qytetarët e kuptojnë fare mirë se çmimet nuk i vendos qeveria dhe aq më pak unë.
E di se ata e njohin shumë mirë përpjekjen e qeverisë sonë për të dal në ndihmë atyre. Sikur e di se kjo nuk do të thotë se ata nuk brengosen kur çmimet rriten. Atë nuk e kontrollojmë dot, por ajo që mundemi të bëjmë dhe kontrollojmë është manipulimi e përfitimi në emër të krizës, andaj do të shtohen kontrollet dhe mbikëqyrja”, shtoi ai.