UBT News

Kurti rendit 4 elementë të domosdoshëm për paqe dhe stabilitet në rajon

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një deklaratë për mediat pas takimit me kancelaren Merkel renditi katër elementë të domosdoshëm për paqe, stabilitet dhe siguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Këta katër elementë janë:

  • Sundimi i ligjit i cili vepron kundër korrupsionit dhe oligarkëve.
  • Demokratizimi i cili mundëson media të lira dhe të pavarura dhe vepron kundër autokratëve
  • Ballafaqimi me të kaluarën që nuk lejon të ketë kriminelë të luftës në liri e aq më pak në pushtet
  • Reciprociteti, simetria, balanca e të drejtave të pakicave kombëtare, në kundërshti me hegjemonitë nacionaliste në Ballkan.

Për dialogun Kosovë-Serbi, z. Kurti tha se janë dy shtete që zhvillojnë dialog për statusin e marrëdhënieve me njëra-tjetrën.

Albin Kurti theksoi edhe për një herë tjetër se statusi i Kosovës nuk është i diskutueshëm.

“Nga viti 2008 deri në 2012 pavarësia e Kosovës nuk ishte e plotë se mbikëqyrej ndërkombëtarisht. Janë vetë faktorët ndërkombëtarë, perëndimorë të cilët e hoqën mbikëqyrjen sepse thanë se është në rregull që Kosova të jetë e pavarur. Në Kosovë kemi stabilitet institucional”, tha Albin Kurti.

Albin Kurti tha se Kosova dëshiron të ketë marrëdhënie të mira rajonale e fqinjësore, mirëpo pa cenuar pavarësinë dhe territorin e saj.

“Ne jemi për marrëdhënie të mira rajonale e fqinjësore, mirëpo natyrisht që nuk mund ta kompensojmë as me shtetësi e as me territor Serbinë për humbjet si shtet që ja ka shkaktuar regjimi i Millosheviçit këtu e 2 dekada më parë”, tha Albin Kurti.

Exit mobile version