Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti prap ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve rreth intervistimit të tij nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Kryeministri Kurti mëngjesin e sotëm ishte në Klinikën e Gjinekologjisë për të përuruar shërbimin e ri të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori thirrjen e parë për intervistim si dëshmitar nga Prokuroria Speciale të enjten e 12 dhjetori, për t’u paraqitur pranë këtij institucioni me datën 16 dhjetor, por ai nuk u paraqit në Prokurorinë Speciale.
Ndërkohë, zyra e kryeministrit ka dërguar në prokurori një propozim me tri data për intervistim, megjithatë, ai ka kërkuar që intervistimi të bëhet në zyrën e tij e jo në prokurori.
Ministrja Albulena Haxhiu tha se prokuroria duhet t’i kthej përgjigje zyrës së kryeministrit dhe sipas saj, gjatë kësaj jave kanë mbetur edhe dy data në të cilat zyra e kryeministrit ka propozuar intervistimin e Kurtit.
Sipas saj, datat janë caktuar në bazë të agjendës së kryeministrit.
Kurti është ftuar nga prokuroria të jap deklaratën e tij lidhur dyshimet për keqpërdorim me rezervat shtetërore.