UBT News

Kurti reagon ndaj Vuçiqit: Deklaratat e tij janë kërcënuese dhe destabilizuese

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me arrestimin e Igor Popoviqit, i cili u ndalua për shkak të deklaratave ku e cilësonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si “organizatë terroriste”.

Në deklaratë për media, Kurti theksoi se Kosova është shtet demokratik dhe ligjor, ku sundimi i ligjit zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë, pa dallim etnie, pozite apo përkatësie politike.

Kosova është demokratike dhe ligjore me pushtete të ndara, institucione të konsoliduara dhe zbatim të barabartë të ligjit. Sundimi i ligjit nuk diskriminon sipas etnisë apo ndikimit politik,” tha Kurti.

Ai shtoi se rasti i Igor Popoviq, i cili është arrestuar për veprën penale të nxitjes së përçarjes apo mosdurimit etnik, po trajtohet nga institucionet e drejtësisë me profesionalizëm dhe në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut.

Duke komentuar deklaratat e Vuçiqit të bëra më 20 korrik, Kurti i cilësoi ato si “kërcënuese, destabilizuese dhe të papranueshme”, duke theksuar se ato nuk janë thjesht qëndrime individuale, por përfaqësojnë politikë shtetërore të Beogradit.

Beogradi zyrtar tregon se nuk e mbështet drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxit tensione dhe përhap gjuhën e urrejtjes. Duke sulmuar vlerën më të shenjtë të shqiptarëve, që është UÇK-ja, ata provokojnë dhe nxisin përplasje,” shtoi Kurti.

Kryeministri përfundoi duke theksuar se deklaratat e tilla përbëjnë kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit.

Exit mobile version