Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për rastin e Faton Hajrizit nevojitet një hetim vendor dhe ndërkombëtarë. Kurti në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, tha se qytetarët nuk duhet të bien pre e heroizmit dhe mitizimit të Faton Hajrizit.
Sipas tij, hero dhe patriot është Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë sulmit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit.
“Qytetarët të mos bien pre e heroizmit të Faton Hajrizit. Patriot është rreshteri Afrim Bunjaku që ra heroikisht gjatë sulmit terrorist në Banjskë”, tha ai.
Krahas këtyre, kreu qeveritar kritikoi Prokurorinë për vonesa në ngritjen e aktakuzës për Milan Radoiçiq, përgjegjësit e sulmit terrorist në Banjskë.
Sipas tij, as pas 10 muajve prokuroria s’ka lëvizur në këtë drejtim, ndërkaq nuk iu deshën as 10 orë që të merret në pyetje ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për një postim të saj.