Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po raporton në kuvend për ecurinë e procesit të dialogut me Serbinë.
Në fillim të seancës, kryeministri Kurti bëri analizë të proceseve të kaluara të dialogut dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Kurti përmendi një nga një marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë, duke thënë se nga to pritej përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës ashtu edhe të Serbisë, gjë e cila sipas tij nuk ndodhi.
Duke folur për marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës, kryeministri Kurti tha se vërehen deficite shumë të mëdha.
“Ndonëse arsyeja e vendosjes së fusnotës ishte fakti që pesë shtetet e BE-së dhe Serbia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës apo Kosovën si Republikë, fusnota nuk i është vënë termit Republikë, por emrit Kosovë. Fusnota i është vënë emrit Kosovë. Dëmi që është shkaktuar nga qeveritë paraprake është se 22 shtete të BE-së që e njohin republikën tonë, sot detyrohen t’i nënshtrohen vullnetit të pesë shteteve anëtare”, deklaroi Kurti.
Kryeministri Kurti në seancë pritet që të tregojë se cila do të jetë qasja e Kosovës në këtë proces dhe se cilat janë synimet dhe pritjet nga dialogu.