Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti deklaroi se në Qeverinë e re nuk do të ketë më pak se pesë ministre. Këto deklarata i bëri gjatë marshit që u organizua për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
“Ne për asnjë gjë s’do të biem më poshtë që kemi qenë. Ju e dini fort mirë që në qeverinë e mirë të mirë të pranverës 2020, nga 15 ministra gjithsej, kishim pesë ministre gra, më pak se kaq nuk do t’i kemi”, deklaroi ai.
Kurti shtoi se nga 58 deputetë sa ka Vetëvendosje, asnjë grua nuk ka pasur nevojë për kuotën gjinore.
“Nga 58 deputetë sa do t’i ketë grupi ynë parlamentar, asnjë grua nuk ka pasur nevojë për kuotën gjinore, populli i Kosovës e ka bërë përfaqësuese të qytetarëve. 14 shkurti nuk kanë qenë një palë zgjedhje, kanë qenë referendum”, tha Kurti.
Ai shkroi se përgjatë këtij marshi u respektuan masat antiCOVID./UBTNews