Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës të angazhohet për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte në Hagë.
“Në Hagë nuk janë duke u përndjekur vetëm individët, por as nuk mund të mbrohen të pandehurit vetëm si individë. Shteti i Kosovës duhet ta organizojë dhe koordinojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata i pamë se i kanë avokatët e tyre secili, mirëpo nevojitet bashkërendimi nga shteti. UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit, por e të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë atë”, tha Kurti në një konferencë për media të dielen.
Lideri i VV-së theksoi se fatkeqësisht Kosova nuk ka një Qeveri të tillë, sepse sipas tij, kjo Qeveri është e jashtëligjshme dhe varet nga Lista Serbe.
“Ne duhet të jemi bashkë për luftën çlirimtare dhe kundër Serbisë që nuk na njeh sepse është e papenduar për krimet e kryera”, deklaroi mes tjerash Kurti./UBTNews