Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se punësimi në Kosovë është rritur për 45 për qind dhe se kjo i ka ndihmuar mbështetja qeveritare.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me përfituesit nga Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar, shefi i ekzekutivit ka thënë se mbështetja e bizneseve ka qenë e vazhdueshme dhe e lartë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të mbështet sektorin privat i cili është faktor i përkushtimit dhe zhvillimi e bizneseve në vend. Buxheti shtetëror është rritur për 35 për qind më i lartë, pa dyshim që ky ka ndikuar në rritjen e fitimit dhe zgjerimit të aktivitetit të zhvillimit rajonal. Në vitin 2024, Bruto Produkti Vendor është më i lartë për 45 për qind e që kjo është përkthyer edhe me punësim, ku në Kosovë është rritur punësimi. Kemi ndarë 5.5 milionë euro për bizneset e vogla për t’i përkrahur nga sfidat lokale”, u shpreh Kurti.
Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka thënë se kanë arritur t’i mbështesin bizneset me makineri të reja të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese. Ai ka thënë se që nga hapja e thirrjes, kanë qenë mbi shtatë mijë aplikime, ndërsa vlera e projektit është 6 milionë e 875 mijë euro.
“Ju përfitues jeni shembull që mund të arrini me përkushtim sepse ata përfaqësojnë potencialin e madh. Gjithmonë kemi qenë të gatshëm të mbështetim bizneset. Kemi arritur të krijojmë e të mbështesim bizneset me makineri të reja, si dhe të rrisim kapacitetet e tyre dhe për të krijuar mundësi që të krijojnë bizneset e tyre. MZHR gjatë kësaj periudhe kanë pranuar 7 mijë e 564 aplikime nga aplikantët potencial në vlerë prej 6 milionë e 875 mijë euro”, ka thënë Damka.