Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkrahur idenë që të hapen arkivat e UÇK-së. Teksa ka folur për këtë, Kurti i pyetur nga Ekonomia Online, tha se me hapjen e arkivave, do të ndihmohej të gjendeshin të pagjeturit. Ai insiston se duhet të hapen edhe arkivat në Beograd sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë të cilat i përfshijnë ato gjatë luftës të UÇK-së dhe ne jeni shumë transparentë, mirëpo neve na duhet ta zbardhim fatin e të të pagjeturve, e për këtë ne duhet të hapim arkivat në Beograd sepse vrasjet e varrosjet e masakrave e më pastaj zhvarrosjet nuk janë bërë nga qytetarët serb, por nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuara, e që janë në arkivat e Serbisë që duhet të hapen një orë e më parë”, tha ai.
Shefi i Qeverisë ka thënë se shteti i Kosovës nuk ka çfarë të fsheh, pasi sipas tij, nga përfundimi i luftës, Kosova ka qenë nën administrimit e ndërkombëtarëve, raporton EO.
“Kosova siç e dini që nga viti 1999 e këndej, kemi qenë nën administrim ndërkombëtar, pra vend më transparent e më të hapur se Kosova nuk ka, e ajo që duhet të hapet është Serbia, sepse në katër luftëra që Serbia i ka bërë, gjenocidi që i ka bërë në Bosnjë e Kosovë, duhet të zbardhet e vërteta, që të dihen urdhërdhënësit”, tha Kurti.
Sipas tij, për hapjen e arkivave duhet të flitet edhe në forume ndërkombëtare.
“Pikënisja jonë si Qeveri nuk është imagjinata jonë mbi gatishmërinë e Serbisë por mbrojtja e interesit tonë dhe vullneti për të drejtën dhe drejtësinë. Në çdo forum ndërkombëtar, kryefjalë duhet ta kemi hapjen e arkivave atje”, tha Kurti.
Këto komente kreu i Qeverisë i bëri pasi morri pjesë në edicionin e 7-të të Shkollës Diplomatike organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës dhe Fondacionin Friedrich-Ebert.