Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nën detyrën e kryesuesit të OSBE-së.
Duke e quajtur këtë vizitë si një nder të veçantë dhe krenari, kryeministri Kurti tha se janë shumë të lumtur të konstatojnë që marrëdhëniet e shkëlqyeshme po pasohen edhe me bashkëpunim, i cili po rritet, duke pasur parasysh që ministri Osmani siç tha kryeministri, ishte sot në cilësinë e kryesuesit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë.
“Ne jemi gjithashtu të gëzuar që do të mund të bashkëbisedojmë për çështjen e demokratizimit, të drejtave të njeriut dhe sigurisë që janë vlerat themelore që po ashtu i ndajmë së bashku”, deklaroi Kurti duke falënderuar ministrin Osmani për kontributin që OSBE-ja e ka dhënë për demokratizimin në Kosovë dhe për Sigurinë e vendit tonë.
Kurti, siç u bë e ditur në komunikatë, e njoftoi Osmanin për të arriturat gjatë mandatit qeverisës në progresin ekonomik dhe demokratik, duke potencuar se në këto dy vjet qeverisjeje buxhetit i janë shtuar 740 milionë euro, ndërkaq ekonomisë 2.1 miliardë euro.
Në mesin e sukseseve, kryeministri vuri në pah edhe konsolidimin e financave të cilat e kanë ulur deficitin buxhetor dhe po ashtu edhe uljen e deficitit tregtar nga 1 me 9 në 1 me 6.
Kryeministri foli edhe për pjesëmarrjen në ushtrimet ushtarake “Defender Europe 23” që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke potencuar se kjo është hera e dytë që jemi pjesëmarrës, dhe në të dy herët kemi qenë vend mikpritës.
“Këtë vit Kosova renditet e katërta për personelin ushtarak të angazhuar në këtë ushtrim nga 25 vende pjesëmarrëse”, u shpreh ai.
Ndërkaq, ministri Osmani, nën detyrën e kryesuesit të OSBE-së, falënderoi kryeministrin për mikpritjen dhe tha se është vërtet i kënaqur që kishte mundësinë që në kapacitetin e kryesuesit të OSBE-së sot të vizitojë Kosovën.
Teksa e uroi për arritjet impresive, e përgëzoi Kosovën në demokratizimin dhe integrimin gjinor. Në takimin e sotëm u theksua po ashtu edhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal, derisa sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, Osmani dha mbështetje.
“Njëkohësisht, shprehu falënderimin për bashkëpunimin e ngushtë që kanë pas në këto 20 vitet e fundit nëpërmjet institucionit të OSBE-së dhe institucioneve të Kosovës, që kanë krijuar aq shembuj të mirë të këtij bashkëpunimi e që drejtpërdrejtë kanë kontribuar në demokratizimin e shoqërisë në qasjen ndaj komuniteteve, në promovimin e të drejtave individuale dhe ato kolektive”, u bë e ditur në komunikatë.
Si ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Osmani uroi Kosovën për kalimin me sukses të fazës së parë të anëtarësimit në Këshill të Evropës dhe konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është misioni më i madh i kësaj organizate. Ka gjithsej 5 qendra rajonale me staf prej 490 personave, prej të cilëve 2/3 janë staf lokal.
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani sot u prit në takim nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe nga presidentja Vjosa Osmani.
Maqedonia e Veriut ka marrë këtë vit kryesimin e OSBE-së. Pritjet e Osmanit janë që të vendosin vëmendjen në rolin e OSBE-së, në terren dhe në lehtësimin e pasojave që konfliktet i sjellin mbi njerëzit.