UBT News

Kurti priti në takim Lajçak

Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, me të cilin ka biseduar për mbarëvajtjen e deritanishme të takimeve, qasjes konstruktive përgjatë tërë procesit të dialogut në Bruksel, parimet, vlerat dhe synimin e këtij procesi.

Kurti ritheksoi se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, e cila në qendër ka njohjen reciproke.

Në takim u bisedua edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.

Kurti theksoi angazhimin e Qeverisë në zbatimin e tij, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës sё energjisë në katër komunat në veri tё vendit.

Në saje të kësaj marrëveshjeje, pas më shumë se 20 vjetësh, katër komunat në veri Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, do të kalojnë në një rend të rregullt të faturimit të energjisë.

Me këtë marrëveshje, buxhetit të Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të veriut të vendit.

Exit mobile version