Menaxhimi i pandemisë Covid-19, rikuperimi i pasojave ekonomike dhe reforma në administratën publike janë ndër prioritet kryesore të Qeverisë Kurti 2.
Kështu tha kryeministri Albin Kurti në takimin e parë të Komitetit Drejtues të Kornizës së bashkëpunimit të Kombeve të Bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm (UNSDCF) 2021-2025.
Kryeministri Kurti tha po ashtu se prioritet tjetër mbetet edhe fuqizimi i qeverisjes, sundimi i ligjit dhe transformimi ekonomik që reflekton për ta integruar Kosovën në BE.
“Për qëllim kemi të fokusohemi në dy prioritetet themelore, e para ka të bëjë me fokusin ndaj menaxhimit të pandemisë Covid-19 dhe të minimizohen pasojat dhe shëndeti i publikut. Dhe e dyta është që të fokusohemi në përmirësimin e pasojave të cilat janë shkaktuar në ekonomi nga pandemia, që kërkon mobilizimin e gjithë shtetit. Fuqizimi I qeverisjes dhe sundimit të ligjit, transformimi ekonomik dhe social janë po ashtu prioritetet kyçe për të siguruar gjithë përfshirje sociale për të gjithë qytetarët në Kosovë”, theksoi Kurti.
Ulrica Richardson, koordinatore e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, tha se prioritetet kyçe për pesë vitet e ardhshme mbeten qeverisja transparente, cilësia dhe transformimi i ekonomisë, drejtë një ekonomie të gjelbër.
Me anë të këtij bashkëpunimi, ajo tha Kosova përfiton për reagimin e vazhdueshëm ndaj Covid-19.
“Prioritetet kyçe për pesë vitet e ardhshme në bashkëpunimin dhe kornizën e punës së përbashkët i kemi për promovimin e qeverisjes transparente, cilësia, qasja në shërbimet publike. Po ashtu, transformimi i ekonomisë drejtës një ekonomie të gjelbër dhe përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrale. ”, theksoi Richardson.
Në fund Richardson theksoi se në partneritet me Qeverinë e Kosovës synojnë të arrijnë rezultate të mira.