Kryeministri Albin Kurti ka pritur në zyrën e tij kryetarin e Komunës së Baden bei Wien në Austri, Stefan Szirucsek, i cili u shoqërua nga anëtari i këshillit të qytetit, Nusret Bujari.
Kryeministri e ka uruar kryetarin Szirucsek për binjakëzimin e suksesshëm të komunave Baden dhe Suharekë, duke shprehur krenarinë e tij për integrimin e mirë të shqiptarëve të Kosovës në Baden dhe rolin e rëndësishëm të shoqatës “17 Shkurt” në këtë drejtim.
Gjatë takimit, Kryeministri falënderoi kryetarin Szirucsek për mbështetjen që Austria i ka dhënë Kosovës, veçanërisht gjatë dhe pas luftës, dhe për njohjen e diplomave nga Kosova. Ai theksoi marrëdhëniet shumë të mira kulturore, politike dhe historike ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
Gjithashtu, Kryeministri Kurti falënderoi Bujarin për punën e tij si anëtar i këshillit të qytetit në Baden dhe për rolin e tij si urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Baden.
Nga ana e tij, kryetari Szirucsek vlerësoi praninë e sipërmarrësve nga Kosova në Baden dhe përmendi trashëgiminë botërore të qytetit të tij, duke shprehur dëshirën për të forcuar më tej marrëdhëniet, veçanërisht në fushën e turizmit, ku ka pasur një rritje prej 50% të netëve të kaluara në Kosovë gjatë vitit të kaluar.
Kurti përmendi rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat e Baden dhe diskutoi mundësitë për ta vendosur atë në institucionet arsimore të qytetit. Ai gjithashtu theksoi pjesëmarrjen e kompanive nga Baden në forumin e ardhshëm ekonomik Austri-Kosovë, që do të mbahet në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.