Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova pret që Komisioni i ri Evropian të nisë me një dinamikë të re sa i përket dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas samitit të Procesit të Berlinit, Kurti u pyet për kërkesat e tij sa i përket dialogut, pasi kancelari gjerman, Olaf Scholz, kërkoi dinamikë të re në këtë proces që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
“Ne po presim Komisionin e ri Evropian që të fillojë me dinamikë të re dhe për këtë arsye jemi optimist. Edhe më tej insistojmë që të dorëzohet kryekrimineli Millan Radoiçiq, që ne vrau rreshterin Afrim Bunjaku, por edhe grupi i tij paralimitar i terroristëve që ndodhen në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit të Kosovës. Kërkojmë që letra e [ish-kryeministres serbe, Ana] Bërnabiqit të tërhiqet, meqë me atë letër ajo është tërhequr nga Marrëveshja [për rrugën drejt normalizimit të raporteve]. Njëkohësisht ajo që jemi marrë vesh, Marrëveshja Bazë dhe Aneksi për zbatim të nënshkruhen sepse nënshkrimi është garanci ligjore”, tha Kurti për gazetarët.
Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe për Aneksin e zbatimit të saj. Por, nëpërmjet një letre dërguar në Bruksel në dhjetorin e vitit 2023 nga kryeministrja e atëhershme serbe, Ana Bërnabiq, Beofradi shprehu rezerva për këtë marrëveshje.
Në letër, Bërnabiq ka thënë se Marrëveshja është e pranueshme për Serbinë vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës. Aty, po ashtu, thuhet se Beogradi nuk pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara apo në mekanizma dhe në agjenci që ekzistojnë në kuadër të OKB-së.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Marrëveshja nuk është nënshkruar, por BE-ja ka thënë se ajo është ligjërisht e obligueshme për palët, teksa blloku evropian vazhdimisht u kërkon palëve që të nisin zbatimin e saj.
Gjatë deklarimit për gazetarë, Kurti po ashtu tha se në takimet që ka zhvilluar në Berlin ka kërkuar që BE-ja të heqë masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës vitin e kaluar për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, por edhe t’i jepet statusi i vendit kandidat.
Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat, teksa vendi ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022./REL/