UBT News

​Kurti: Presim dënim maksimal për autorët e krimit të vrasjes së Liridona Ademajt

Një minutë heshtje është mbajtur në hapje të konferencës rajonale “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft!”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi nga të pranishmit që të mbajnë një minutë heshtje për Liridona Ademaj, e cila u vra ditë më parë. Kurti ka kërkuar zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe dënim malsimal për vrasësit. Butësia e dënimit, siç tha ai, po shkakton përsëritjen e këtyre rasteve.

“Po ndodh çdo vit, sepse rastet janë të shpeshta, por shpesh është edhe një, meqenëse nuk duhet asnjë. Lidirona Ademaj u rivarros dje. Rivarrimi saj është një akt i drejtë…Zbardhja e plotë e rastit të Liridonës është drejtësi e i drejtë presim të jetë dënimi, pra maksimal. Rastet e rënda si këto nuk mund të na lejojnë t’i mbyllim sytë para dhunës së përhapur gjiniore. Po punojmë në krijimin e një mjedisi ligjor të fuqishëm kundër dhunës me bazë gjinore duke plotësuar dhe ndryshuar kodin e procedurës penale, duke ashpërsuar masat për kryerësit e veprave penale të dhunimit, dhunimit seksual dhe të dhunës në familje…Kujdesi për funksionimin e gjithë mekanizmave ndërveprues prej raportimit deri tek trajtimi, gjykimi, pra të drejtësia përfundimtare është dhe do të jetë prioritet i lartë në qeverinë tonë. Por, ajo që na duhet më së shumti tani, çfarë i duhet shoqërisë dhe drejtësisë është një sistem prokurorial dhe gjyqësor shumë më aktiv e shumë më efektiv. Pesha e padrejtësive nuk mund të vazhdojë të bije mbi supet e grave dhe vajzave, as mbi supet e fëmijëve e të pleqve, të varfurëve e të shtypësve, personave të sfiduar nga çdo rrethanë tjetër, institucionet janë të obliguara të jenë gjithmonë përkrah atyre që ju bëhet çfarëdo padrejtësie…Ne nuk mund të vendosim për jetën e askujt, as gruaja e as burri, vajza e djali nuk janë pronë e askujt, të gjithë njerëzit janë të lirë me të drejta të barabarta”, deklaroi Kurti.

Kurti po ashtu ka kujtuar se disa prej rasteve më të rënda gjatë luftës në Kosovë kanë qenë kur forcat serbe dhunuan vajza e gra dhe në shumë raste edhe në prani të familjarëve, për çka tha, se kjo dukuri duhet të zhduket përgjithmonë. Ndërsa ka përmendur edhe rastin e 14-vjeçares në Shkup, për të cilën tha se duhen dënime meritore.

“Disa prej rasteve më të rënda gjatë luftës në Kosovë kanë qenë kur forcat serbe dhunuan vajza e gra dhe në shumë raste edhe në prani të familjarëve. Në qendër të kryeqytetit tonë Prishtinës, e kemi memorialin “Heroinat” kushtuar 20 mijë grave e vajzave të dhunuara gjatë luftës, ne qe përkulemi tek ai memorial kemi përgjegjësinë që të luftojmë bashkë këto raste të shndërruara në dukuri kur gratë dhe vajzat e vendit tonë të lirë po dhunohen e vrahen, madje edhe në prezencën e fëmijëve tyre, e gjithë kjo nga vet partnerët e tyre, burrat e kësaj shoqërie. Është fakt që dhuna e grave është fenomen global, e i lidhur edhe me valën në ngritje te ekstremit të djathtë, megjithatë është një dozë edhe më e thellë e dhembshurisë kur femicidi shfaqet në një shoqëri edhe pas mbijetimit të gjenocidit… Kemi nevojë që i tërë sistemi i drejtësisë t’i bëjë prioritet trajtimin e rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave dhe të jap dënime të merituara për dhunuesit e kriminelet. Butësia e dënimit po shkakton përsëritjen e krimit, vënia e drejtësisë është kusht i domosdoshëm për një shoqëri të lirë e demokratike. Është koha e fundit të vetëdijesohemi e të veprojmë së bashku”, shtoi Kurti.

Shefi ekzekutivit shtoi se në këtë drejtim kanë përmirësuar qasjen në shërbime sociale duke i ngritur mbështetjen për këto shërbime dhe duke siguruar qëndrueshmëri financiare për strehimorët e të mbijetuarave të dhunës në familje përmes rritjes së buxhetit dhe linjës së veçantë buxhetore për to.

Mes tjerash, ai theksoi se në fillim të fushatës globale gjatë vitit të kaluar një grua u vra me sopatë e disa ditë më pas edhe Hamide Magashi, e cila ishte shtatzënë.

Edhe ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se presin dënimet më maskimale për vrasësit e Liridona Ademaj, e cila dje u rivarros në fshatin e saj të lindjes.

“Pas një pune intensive, akterët e vrasjes së Liridonës janë arrestuar dhe të gjithë presim dënimet më të larta për kryerjen e këtij krimi të rëndë. Dje Liridonës ja dhamë lamtumirën e fundit, ajo do të pushojë në paqe në fshatin e lindjes, pro ne si shoqëri dhe institucione nuk do të jemi të qetë derisa ta ndërtojmë një shoqëri kur respektohet dinjiteti i vajzave, grave dhe jeta e tyre. Krimi mbi Liridonën është një alarm që nuk duhet të pushojë deri të arrijmë një shoqëri ku ka drejtësi dhe barazi”, u shpreh ajo.

Haxhiu theksoi se gjatë këtyre ditëve do të lansohet programi për punësimin e viktimave të dhunës në familje. Ndërsa ish-kryetarja e Grevio, Itis Luaras tha se në këtë drejtim Konventa e Stambollit njihet gjerësisht si instrumenti ligjor më i drejtë.

“Dy vjet më parë, ne festuam vitin e dhjetë të hapjes për nënshkrimet e Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje e njohur më mirë si Konventa e Stambollit. Kjo është një kujtesë e rëndësishme që një dekadë më parë shqetësimi për të drejtën njerëzore të grave dhe vajzave për të jetuar një jetë pa dhunë, nxiti shtatë qeveritë të negociojnë standardet ligjërisht të detyrueshme që ne kemi tani. Konventa e Stambollit njihet gjerësisht si instrumenti ligjor më i drejtë, i cili përcakton detyrimet për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, dhe është cilësuar si një standard i artë nga Kombet e Bashkuara. Në momentin që po flasim ka një kontest rreth Konventës së Stambollit dhe nuk po ndodh kështu sepse disa shoqëri apo disa vende janë tradicionale apo konservatore. Sigurisht, ky mund të jetë një faktor kontribues, por kjo nuk është arsyeja pse kjo po ndodh. Ka grupe të caktuara akterësh transnacionalë që punojnë kundër të drejtave të njeriut, ata që ne kanë sajuar problemin me konventën dhe kanë ndërtuar një sërë gënjeshtrash dezinformatash rreth konventës, të cilat më pas u shpërndanë në mënyrë shumë strategjike përmes një sërë mjetesh dhe akterësh”, tha Luaras.

Exit mobile version